Gjithmonë në sport por edhe kudo, kur bëhet fjalë për çmime e trofe, kuptohet që ka edhe xhelozi. Të gjithë duan të fitojnë, të gjithë duan të marrin merita, por ka edhe raste që ka solidarizim. Kështu ka ndodhur edhe në rastin e shpalljes së “Futbollistes më të mirë të Vitit 2018”. FSHF ia ka dhënë këtë çmim sulmueses së Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare Megi Doçi.
Në adresë të saj ka patur shumë urime sepse është vërtetë një sportiste cilësore që e meriton një çmim të tillë, megjithatë kur urimin ta jep edhe kapitenia e ekipit kombëtar, është edhe më bukur.
Kështu ka ndodhur me Albina Rrahmanin, e cila përmes profilit të saj në facebook, ka uruar kolegen e skuadrës duke shkruar: “Urime Megi Doçi! Nje çmim më shumë se i merituar, për talentin që ke, punën që bënë me aq vullnet, dëshirë dhe pa përtesë, nuk do të kishte kuptimin dhe shkëlqimin e duhur në duart e dikujt tjetër.
Kam kënaqësinë të ndajmë fushën, detyrat, përgjegjësitë, përvojat e mira dhe ato jo të mira me ty dhe pjesën tjetër të ekipit. Je një lojtare e shkëlqyer në fushë dhe një person i jashtzakonshëm jashtë saj. Sukseset mos tu ndafshin asnjëherë!”
Vërtetë një urim fantastik. Mjafton të citojmë vetëm shprehjen “çmimi nuk do të kishte kuptimin dhe shkëlqimin e duhur në duart e dikujt tjetër” dhe kaq mjafton. Vërtetë Megi Doçi mbrëmë mori këtë çmim por edhe Albina Rrahmani me këtë thënie meriton shiritin dhe jo vetëm kaq: JE KAPITENIA E VËRTETË ALBINA RRAHMANI!
© shkodrasport.com