Ka shënuar pesë gola, duke qenë mesfushor dhe është përfshirë në formacionin e vitit në kampionatin sllovak, por në vitin e eksperimenteve për Kombëtaren nuk mori asnjë ftesë. Kristi Qose, në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon harresën nga FSHF dhe trajneri Panuçi, ecurinë në kampionat me Ruzembrok, pjesëmarrjen në formacionin e vitit si dhe kampionatin e preferuar për të.

Mesfushori 23-vjeçar ka debutuar me kuqezinjtë më 8 qershor 2014 ndaj San Marinos dhe që nga ajo periudhë nuk është kujtuar më askush për të. Në intervistën për gazetën, Qose tregon për vështirësitë që ka pasur në fillimet e transferimit nga Greqia në Sllovaki, ku një prej tyre ka qenë edhe pasaporta shqiptare.

Si ndiheni që jeni në formacionin e vitit, çfarë do të thotë për ju?

Realisht, ndihem krenar. Është një çmim që e kam arritur me shumë punë dhe me durim. Megjithatë, unë nuk dua të mbetem këtu, dua të jetë vetëm fillimi për karrierën time dhe të ngjitem sa më lart.

Si është kampionati sllovak, çfarë niveli ka?

Është një kampionat mjaft i fortë. Për të gjithë ata që mendojnë se është e lehtë që të luash këtu, ju them që nuk është aspak e vërtetë.

Çfarë specifike ka dhe si është në krahasim me Greqinë?

Është i fortë edhe fizikisht, por edhe teknikisht. Nëse flasim në krahasim me Greqinë, mund të them që ka të njëjtin nivel në aspektin fizik, por teknikisht në Greqi është nivel më i lartë.

Mund të tregoni diçka për veten, për të kujtuar edhe njëherë rrugëtimin tuaj në karrierë?

Unë kam lindur në Bilisht dhe kam ikur në Greqi që në moshën 7-vjeçare. Kam nisur të luaj futboll që në fëmijëri dhe është e vetmja gjë për të cilën kam menduar dhe vazhdoj t’i përkushtohem. Madje, as në shkollë nuk kam qenë shumë mirë me mësime.

Me kë po jetoni në Sllovaki?

Momentalisht, jetoj vetëm.

Ju ka penguar pasaporta shqiptare deri tani në karrierën tuaj?

Le të themi që po. Më ka penguar për disa dokumente që më duheshin në fillim për të jetuar në Sllovaki, por asgjë serioze. Megjithatë, kam gjashtë muaj që kam marrë edhe pasaportën greke.

Kur u transferuat nga Greqia në Sllovaki, patët ndonjë problem?

Kam vuajtur vetëm për shkak të një dëmtimi që pata në atë periudhë dhe nuk mund të isha në 100 për qind të formës sime në fillimet e mia këtu. Asgjë tjetër.

Si e kujtoni periudhën kur keni qenë pjesë e kombëtareve të moshave?