Për Mirel Josën, Vllaznia është në një nivel tjetër. Dhe kur e thotë këtë një trajner që ka marrë 5 tituj kampion (një me Tiranën në 2003-2004 dhe katër me Skënderbeun në sezonet 2012–2013, 2013–2014, 2014–2015, 2015–2016), duhet marrë në konsideratë.
“Unë do të gaboj nëse nuk them që Vllaznia po i bën gjërat më mirë sesa skuadrat e tjera. E para, shoh një diferencë pikësh sigurie me ekipet e tjera. Është normale që gjatë rrugës Vllaznia mund të gabojë, qoftë skuadrat e tjera mund të gabojnë.
Por, unë kapem te kjo, sepse kur kam drejtuar skuadra si Skënderbeu, Tirana e të tjera dhe kam qenë me diferencë pikësh shumë përpara, pretendimi i skuadrave që kishim nga mbrapa ishte jo kartoni, jo… Por, nuk ka mundësi që një skuadër që ka humbur gjithë këto pikë gjatë kësaj periudhe të mos bëjë edhe ajo hapin pas të vetin.
Kështu që, qoftë Partizani, qoftë Teuta, qoftë skuadrat e tjera që janë më pas Vllaznisë, Tirana, Laçi deri tani kanë gabuar dhe si ka mundësi që këto skuadra të mos gabojnë nga ky moment deri në fund të kampionatit. Edhe Vllaznia mund të gabojë, por unë bazohem te ajo që Vllaznia ka gabuar një herë dhe ne të gjithëve na futi në dilemë pas humbjes që pësoi me Kukësin në Shkodër.
Por shkodranët treguan se u ringritën shumë shpejt, që në ndeshjen pasardhëse. Unë mendoj se skuadra që është për kampione, mund të bëjë hapa falsë se është normale në çdo kampionat, jo vetëm në këtë tonin, por edhe di të ringrihet shpejt.
Skuadrat që dinë të ngrihen shpejt tregojnë se kanë baza që janë ndërtuar që në fillim të kampionatit. Me kalimin e javëve nuk kanë pasur luhatje dhe kampionatin e fiton pikërisht ajo skuadër që ka më pak luhatje, qoftë në lojë, qoftë edhe në rezultat. Vllaznia e ka treguar këtë që në momentet e para.
Duhet të themi një gjë, që të fitosh një ndeshje 1-0, me rezultat të ngushtë, është shumë pozitive për një skuadër sepse ka përkujdesje edhe në mbrojtje, por di edhe të godasë kundërshtarët, sikurse goditi Vllaznia Kukësin në ndeshjen e fundit dhe nuk e goditi vetëm duke qenë cinike, duke pritur, por e goditi edhe në lojë”, theksoi 57-vjeçari.