Futbolli shqiptar më i korruptuari në botë. Ky është përfundimi i dalë pas një analize të rezervuar të shoqërisë “Sportradar”, lider botëror i monitorimit të kuotave të basteve dhe fluksit të parave të luajtura në futboll. Sipas asaj që raportohet në mediat botërore, Kategoria Superiore e Shqipërisë kryeson renditjen botërore për sinjalizim të ndeshjeve të shitura, duke kapur kuotën e 97 takimeve në total.Hetimi është shtrirë në më shumë se 400 kompani bastesh ndërkombëare dhe është zbuluar nga agjencia e specializuar e trukimit të ndeshjeve “Agipronews”.
Periudha e hetimit përfshin një kohëzgjatje prej dy vjet e gjysmë, gjatë së cilës në Shqipëri dyshohen se janë trukuar plot 97 ndeshje, 27 më shumë sesa kampionati italian, që qëndron në vendin e dytë në renditjen botërore me 70 ndeshje. Në vendin e tretë qëndron kampionati moldav, ndërsa në dhjetëshen e parë bëjnë pjesë dhe liga greke, ajo ruse, maqedonase dhe bullgare.
Në total “Sportradar” ka hetuar 143.472 ndeshje në 596 kampionate të ndryshme, prej të cilave 798,ose 0.56 përqind e sfidave rezultojnë të manipuluara. Ndërkohë që nga numri total i ndeshjeve të trukuara, Shqipëria zë vendin e parë me 8.22 përqind të takimeve në total në të gjithë botën. Por nëse në vende fqinje si Greqia, Italia apo bullgaria hetimet kanë nisur prej kohësh në Shqipëri, nuk është ndërmarrë as hapi më i vogël për hetimin e sfidave të Kategorisë Superiore, pavarësisht se në jo pak raste UEFA ka sinjalizuar Federatën për ndeshje të ndryshme.
www.shkodrasport.com