Futbolli shqiptar shpeshherë vuan për elementë cilësorë dhe për rrjedhojë klubet e drejtojnë merkaton e tyre jashtë
vendit. Por në fakt, ka edhe lojtarë të rinj të cilët nëse u jepet besim, mund të bëjnë gjëra të mira. Ka prej atyre
trajnerëve e drejtuesve të cilët mendojnë se një futbollist 18-19 vjeçar nuk është në gjendje të përballojë nivelin e
Superligës, por ka edhe raste që i nxjerr gabim ata.
Mjafton të marrim rastin e fundit të futbollistit të Akademisë Vllaznia, Flori Spahija. Ndonëse është vetëm 17 vjeç,
ai javën që shkoi ka bërë diçka që do t’i mbetet gjatë në mendje dhe jo vetëm atij. Në tre ndeshje ka luajtur tre
ndeshje dhe madje ka luajtur edhe me ekipin e të rriturve, atë B të klubit shkodran, madje edhe duke shënuar gol.
Të enjten pasdite ka qenë 90 minuta në vonë në ndeshjen miqësore Vllaznia U17- Kombëtarja U17, luajtur në stadiumin
“Loro Boriçi” dhe ka kontribuar në fitoren 3-2 të ekipit kuqeblu ndaj atij kombëtar.
Ndërkohë, të premten paradite ka udhëtuar drejt Durrësit për të luajtur me kombëtaren U18 ndaj kombëtares U19 dhe
sërish është paraqitur mirë. Por, aktivizimi i tij nuk do të mbyllej këtu.
Pasditen e së dielës, trajneri i ekipit Vllaznia B, Fatjon Hasani e ka grumbulluar me këtë ekip dhe madje e ka lënë në fushë për 90 minuta në ndeshjen ndaj Sopotit duke e aktivizuar fillimisht si qendërmbrojtës dhe në minutat e fundit në rolin e mbrojtësit të majtë.
Dhe Spahija jo vetëm që nuk e ka zhgënjyer, por e ka nderuar trajnerin Hasani. Ndonëse 17 vjeç, ia ka dalë të markojë
shumë mirë sulmuesin e njohur librazhdas Mirel Çota por edhe ka shënuar gol. Pas një goditje këndi, ka kërcyer saktë
me kokë duke e dërguar topin në rrjetë dhe kësisoj ka kontribuar në fitoren 2-0 të ekipit shkodran.
Një ecuri e tillë e këtij lojtari në fakt nuk është çudi. Ai edhe sot që sezoni është në fund, stërvitet 3-4 orë në
ditë dhe përpos stërvitjeve me ekipin, zhvillon edhe stërvitje individuale me trajnerin e përgatitjes fizike Fation
Kadija dhe po ashtu bën edhe stërvitje gjimnastikore me të mirënjohurën Fatmira Mandija.
Shembulli i Flori Spahijës padyshim që duhet marrë edhe nga të tjerët. Nëse e ke pasion futbollin dhe Zoti të ka dhënë dhuntitë e duhura, vetëm falë punës mund të bëhesh dikushi. Dhe protagonisti i këtij shkrimi duket në rrugë të mbarë për këtë.
www.shkodrasport.com