Ndodh edhe kështu. Një kampion i madh i boksit shqiptar, solidarizohet me gjendjen jo të mirë të një ekipi në një sport tjetër dhe për të motivuar edhe më shumë pjestarët e tij, vendos premio për fitoren e tyre. Ka ndodhur në ndeshjen e kategorisë së parë në mes “Vllaznia B” dhe Besës së Kavajës. Shkodranëve u duhej patjetër fitorja në këtë takim në mënyrë që t’i largoheshin fundit të tabelës së renditjes dhe për ta ka menduar dikush tjetër.

Bëhet fjalë për kampionin e boksit Nelson Hysa i cili ka vënë një premio për fitoren e kuqebluve të trajnerit Kraja. Shuma nuk deklarohet megjithatë ajo që vlen është gjesti i këtij kampioni. Por jo vetëm ai ka dhënë premio për këtë ndeshje. Kanë qenë edhe dy miq të tjerë të trajnerit të cilët edhe ata kanë sponsorizuar “Vllazninë B” për këtë ndeshje. Bëhet fjalë për dy shkodranët që jetojnë në Tiranë, Tedi Mula dhe Almiro Gurakuqi. Ata në fakt edhe sezonin e kaluar kanë dhënë premio për këtë ekip në finalen e kategorisë së dytë ndaj Sopotit. Fjala “premio” mesa duket i ka motivuar shumë futbollistët e ekipit të dytë të Vllaznisë dhe ata kanë arritur të fitojnë dhe jo ndaj një ekipi dosido por ndaj Besës së vendit të dytë në renditje.

www.shkodrasport.com