“Grenza e Uatfordit” ka vendosur të pushojë së fluturuari në fushën e “Vicarage Road”. Maskoti i skuadrës që po surprizon në Premier League këtë sezon me paraqitjen e deritanishme, “Herri Grenza”, më saktë Gareth Evans, ka njoftuar me anë të Tuiterit se ka dhënë dorëheqjen.

Ai nuk do ta bëjë më maskotin e Uatfordit: “E lashë rolin e maskotit të Uatfordit, – shkruan në postimin e tij Evans.

– Ishte një vendim i imi dhe jam krenar për atë çfarë kam arritur, për kujtimet që kam dhe përvojën e mrekullueshme. Ishte një privilegj dhe tani ndihem i trishtuar. Të dua shumë Herri!”

Arsyet e dorëheqjes së Evans nga roli i maskotit nuk janë bërë të ditura, por dyshohet se lamtumira e tij ka ardhur për shkak të kritikave të trajnerit Roi Hodgson para ndeshjes me Kristal Palasin, e luajtur më 26 gusht, për eposodin e famshëm mes “Harri grenzës” dhe sulmuesit Vilfried Zaha.

Ky episod ka ndodhur në dhjetor të 2016-ës, kur maskoti i Uatfordit nisi të tallej me sulmuesin Zaha, i cili sapo ishte ndëshkuar me karton për simulim, duke iu hedhur përpara këmbëve.

“Ishte një provokim i turpshëm. Nuk është kjo ajo që pritet nga një ndeshje futbolli”, – tha trajneri Hodgson, duke sjellë në vëmendje atë që kishte deklaruar edhe Sem Allërdajs, në atë kohë trajneri i Kristal Palasit, që në rastin konkret kishte kërkuar edhe ndërhyrjen e Federatës së Futbollit në Angli kundër “Herri grenzës”.