Histori të veçanta për t’u treguar klubi i Jena i ka pasur gjithmonë. Për këtë arsye pasioni për ekipin Carl Zeiss Jena nuk është shuar kurrë, edhe tani që ekipi, me një të kaluar të lavdishme, luan në kategorinë e tretë.

Në gushtin e vitit 2016, plot 18 mijë shikues kanë ndjekur ndeshjen e tyre kundër Bayern Munich për 1/16-t e Kupës së Gjermanisë, ku bavarezët fituan 5-0.

Jashtëzakonisht shumë duke menduar se stadiumi ka një kapacitet prej 11 shikuesish dhe u shtua një tribunë portative për t’i lejuar tifozëve të ishin të pranishëm në këtë event.

Dje në stadium për ndeshjen kundër ekipit të dytë të Werder Brema kishte më pak njerëz, por një aksion në veçanti do të shihet miliona herë.

Portieri belg Coppens ka shënuar nga 80 metra, duke firmosur rënien e Werder Bremen II në kategorinë me katërt.

Skuadra nga Bremen kishte nevojë për 3 pikët për të shpresuar te “mbijetesa” dhe kryesonte 2-0. Por pasi pësuan golin e parë ata kaluan në panik dhe në minutën e 53-të, i ndodhi fatkeqësia më e madhe, duke pësuar gol nga portieri kundërshtar Coppens.

Belgu nisi një top të gjatë, plot 80 metra larg portës kundërshtare dhe fati deshte që ky top të shkonte drejt e në rrjetë, i paprekur nga askush tjetër. Werder Bremen II u trondit dhe pësoi gola të tjerë në humbjen 4-2.

“Doja të nisja një top të gjatë për sulmuesit që të merrnin prapa shpinën e kundërshtarit sepse mbrojtja e tyre ishte ngjitur shumë, por nuk mund të mendoja se do të shënojë.

Eshtë hera e parë që shënoj gol, një ndjesi që nuk e kisha provuar kurrë,” – deklaroi Coppens në fund të ndeshjes./telesport/