Humbja e së mërkurës me Pogradecin u përjetua keq në Vlorë, as sa pa u tharë mirë djersa e lojtarëve, drejtuesit morën vendimin drastik duke ndërprerë bahkëpunimin te teknikun italian. Andrea Agostineli nuk e mendonte në asnjë mënyrë largimin nga Flamurtari në këto momente. Madje italiani po bënte plane për të festuar me tifozët ngjitjen në Superiore dhe po e priste me padurim arritjen e objektivit.

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, Andrea Agostineli thekson se është shumë i lënduar nga ky shkarkim i befasishëm, vendim të cilin e përkufizoi kështu: “Është një goditje e vërtetë në zemër”.

67-vjeçari tregon se vendimin e klubit ia ka komunikuar drejtori Alfred Ferko, 10 minuta pas përfundimit të ndeshjes me Pogradecin. Italiani zbulon se nuk është takuar me presidentin Sinan Idrizi, por e respekton vendimin e tij. Trajneri i cilëson mbresëlënëse rezultatet që ka arritur Flamurtari nën drejtimin e tij dhe thekson se ende nuk e ka kuptuar se përse e kanë larguar. Agostineli ka edhe një falënderim për futbollistët, teksa thotë se është krenar për ta.

“Patjetër që më vjen shumë keq. Nuk ndihem fare mirë qe nuk jam me trajner i Flamurtarit. Unë nuk mund ta kuptoj dhe ende nuk e di se çfarë ndodhi. Nuk e di… Ndërprerjen e bashkëpunimit me skuadrën ma komunikoi 10 minuta pas ndeshjes drejtori i klubit, Alfred Ferko. Unë respektoj gjithmonë vendimet e presidentit.

Të jem realist, rezultatet e Flamurtarit nën drejtimin tim ishin pozitive. Pa mburrje apo mendjemadhësi, do të thosha se ishin mbresëlënëse. Të them të drejtën nuk do ta prisja largimin në këto momente. Kurrë nuk e prisja se do të ishte fundi!

Sigurisht që nuk ndihem mirë. Por më vjen më shumë keq, që nuk mund të festoj punën time dhe premtimin që kam bërë korrikun e kaluar kur erdha këtu në Vlorë. Doja të gëzoja dhe festoja me të gjithë qytetin e Vlorës dhe me tifozët vlonjatë. Është një goditje e vërtetë në zemër! Falënderoj të gjithë djemtë për mënyrën se si më ndoqën. Jam krenar për ta”- eshte shprehur Agostinelli.