Armando Cungu duket se nuk dëshiron të vazhdojë si trajner në kampionatin kosovar të futbollit. Shkodrani ka marrë disa oferta nga Kosova që pas largimit nga Vllaznia dhe mendohej se do të vazhdonte karrierën e tij në Superligën kosovare si rival i Josës dhe Shkëmbit. Por me sa duket Cungu nuk ka pëlqyer ofertën më të mirë që i kishte mbërritur, atë të Trepça ’89.
Drejtuesit e këtij klubi, me ndërmjetësimin e presidentit të Skënderbeut, Arian Takaj, organizuan një takim me ish-trajnerin e Vllaznisë. Aty iu bë një ofertë konkrete për t’u ulur në stolin e skuadërs kampione në fuqi që synon të mbrojë titullin.
Por presidenti i klubit, Abedin Zeka, ka treguar për ‘korneri.net’ se ende nuk ka marrë përgjigje nga Cungu, i cili në mënyrë të çuditshme as nuk u përgjigjet thirrjeve të tij në telefon.
“Ofertën ia kemi bërë dhe ka pasur kohë të mendohej deri të premten e kaluar. Ai nuk ka kthyer përgjigje. Kemi tentuar ta kontaktojmë, por nuk është në dispozicion, nuk po e ngre telefonin”, janë fjalët e Zekës.