Xhani De Baizi vazhdon të mbetet pa ekip, një trajner i lirë, por me kërkesat që ka ish-tekniku i përfaqësueses shqiptare, do ta ketë pak të vështirë të gjejë një sistemim tjetër. Pas largimit nga Shqipëria dhe eksperiencës pa fat në Spanjë, tekniku ka marrë disa oferta të tjera, por për një arsye apo një tjetër, asnjë nuk është konkretizuar.

Sipas mediave italiane, De Biazi tashmë kërkon një ekip mesatar apo në nivele të lartë, përndryshe, për të zgjedhur një ekip mbijetese, do ta bëjë vetëm nëse ka shpërblim të ndjeshëm financiar.

Këtë e kanë kuptuar mirë të Frosinone, skuadra e vendit të parafundit në renditjen e Serisë A, e cila është shumë pranë shkarkimit të trajnerit Longo pasi rezultatet mungojnë dhe me kalimin e javëve, kthimi në Serinë B duket gjithnjë më i sigurt.

“Unë te Frosinone? Nuk di asgjë, jam në Romë duke parë ndeshjen me Xhenoan”, ishte komenti i De Biazit për “Tg24.info”. Por i njëjti portal ka mësuar nga burime pranë klubit se ka pasur sot një telefonatë mes palëve, për të mësuar kushtet e hapjes së negociatave.

Telefonata ka qenë e shkurtër me sa duket, pasi te Frosinone i kanë cilësuar të ekzagjeruara kërkesat fillestare ekonomike të trajnerit. Ky i fundit kishte kërkuar edhe ndërhyrje të ndjeshme në merkato, duke bërë më pak të mundur realizimin e marrëveshjes pasi Frosinone është një ekip me fonde të limituara.

Ndaj për momentin klubi është tërhequr, por pritet të mësohet në ditët në vijim nëse do të shkarkojë Longon dhe nëse De Biazi do të jetë përsëri mes alternativave për pankinën. /vipsport/