Igli Tare mund të kthehet shumë shpejt përsëri në drejtimin e një prej klubeve më të njohura të Serisë A. Ish-futbollisti shqiptar shihet si favoriti për të marrë postin e drejtorit sportiv te Milani, me të cilin ka pasur bisedime në ditët e kaluara.

Mediat italiane prej kohësh flasin për kontakte mes palëve, por tashmë “La Gazzetta Dello Sport” bën të ditur se Zlatan Ibrahimoviç dhe Xherri Kardinale, kanë takuar personalisht të tre kandidatët për këtë post në klubin kuqezi. Dhe sipas të njëjtit burim, Tare është më i favorizuar se Fabio Paratiçi apo Andrea Berta, pasi ky i fundit po bëhet gati të firmosë me Arsenalin.

Në favor të Tares është fakti se njeh në mënyrë të shkëlqyer panoramën e futbollit italian me 15 vite në drejtim te Lacio, ku ka bërë disa nga goditjet më të rëndësishme të merkatos të klubit bardhekaltër. plß

Gjithashtu, fakti se ai ka punuar në një kontekst të vështirë, duke njohur “kursimtarin” Lotito, e bën një kandidat të duhur për Milanin, që po shikon me vëmendje edhe aspektin financiar të kësaj epoke të re të klubit nën pronësinë e “RedBird”.