Vlerësime dhe konsiderata shumë pozitive për Vllazninë aktuale, për stafin teknik dhe futbollistët e saj. Po i thonë të gjithë këto gjëra dhe kjo është një gjë shumë e mirë sepse do t’i bëjë ata edhe më të përgjegjshëm për atë se çfarë po i dhurojnë këtij qyteti.

Ish- portieri dhe drejtori sportiv i kësaj skuadre, Armir Grima, që sot mban postin e trajnerit të kombëtares shqiptare të femrave, duke folur në lidhje me skuadrën aktuale të Vllaznisë teksa ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Shoë” është shprehur se kjo skuadër mund të pretendojë për fitimin e titullit kampion. Dhe të mos harrojmë se ai është një njeri që e ka provuar këtë ndjesi me fanellën kuqeblu të veshur dhe madje, ka qenë edhe kapiteni që ka ngritur trofeun e fundit, atë të kupës në vitin 2008.

“Vllaznisë nuk i mungon asgjë për të qenë pretendente. Fitoret e saj nuk po vijnë rastësisht. Skuadra po bën një futboll mjaft të bukur, mjaft i organizuar, me një organizim perfekt repartesh. Prandaj një ekip i tillë sigurisht që duhet të pretendojë.

Unë nuk shoh për momentin asnjë ekip më të fortë se Vllaznia, një ekip që luan më mirë se ajo. E rëndësishme është të ruajë këtë ritëm deri në fund dhe nëse e bën këtë gjë, padiskutim që duhet të pretendojë fitimin e titullit kampion.

Gjëja më e mirë e kësaj Vllaznie është se nuk mbështetet tek një individ. Kjo skuadër ka nje “gjeneral” në aspektin pozitiv, që është trajneri. Dhe ka “ushtarë” shumë të mirë që po din t’i përdorë si duhet në “luftë”. Kjo është gjëja më e bukur e kësaj skuadre sepse ajo gjithmonë ka qenë e varur tek individë, gjithmonë është thënë “ishall po na luan x apo y. Kjo është një skuadër që nuk e ka problem nëse nuk luan Dunga sepse luan dikush tjetër në vend të tij.

Këto janë të gjithë tregues shumë pozitiv dhe që vërtetojnë edhe njëherë atë se Vllaznia e meriton të jetë në vendin e parë të renditjes. Normalisht që e gjithë kjo ecuri është në rradhë të parë meritë e stafit teknik. Përgatitja fizike është e shkëlqyer. Mjafton të shikojë minutat e fundit të ndeshjes me Partizanin se si vraponin djemtë. Kjo është një Vllaznia absolute për të qenë pretendente për kampion”- ka thënë Grima./SHKODRA-SPORT.COM/