Luftoi me të gjitha forcat që të qëndronte në stolin e Shqipërisë pas dështimit në Ligën e Kombeve, por tashmë Kristian Panuçi është gati të braktisë kuqezinjtë, vetëm rreth një muaj para fillimit të eliminatoreve të Europianit.
Këtë e thotë vetë RAI Sport, që insiston se tekniku i kuqezinjve është gati të provojë shanset e tij me një klub shumë të njohur italian, Romën.
Sipas burimeve të rrjetit televiziv kombëtar italian, Panuçi është shprehur i gatshëm të marrë drejtimin e Romës qoftë edhe deri në fund të këtij sezoni në rast shkarkimi të Di Françeskos.
Trajneri është i gatshëm të braktisë menjëherë drejtimin e Shqipërisë për të marrë këtë post që do ta vinte në qendër të vëmendjes në Itali dhe mund t’i hapte rrugën që në të ardhmen të drejtonte në elitën e futbollit atje, siç shpresonte të bënte nëse do të drejtonte me sukses kuqezinjtë.
Tekniku është gati të vërë në rrezik karrierën e tij me këtë lëvizje, duke shpresuar që të arrinte një paraqitje të mirë dhe siguronte një vend të katërt në kampionat, që do të ishte “klauzola e rinovimit” të marrëveshjes së tij me Romën edhe për vitin e ardhshëm. Në rast dështimi, për të karriera si trajner do të ishte praktikisht e mbyllur. /vipsport/