Lajm i trishtë për futbollin shqiptar. Është ndarë nga jeta në moshën 83-vjeçare Kristaq Gogoni. Legjenda e paarritshme e futbollit në vend ka mbyllur sytë përgjithmonë duke lënë pas historinë në qytetin e Lushnjës.
Të shumta kanë qenë reagimet në rrjetet sociale, ku i shprehin ngushëllimet familjes për këtë humbje të madhe të njeriut të zemrës. Sakaq të tjerë e kujtojnë Gogoni për kontributin e pashoq për skuadrën e Lushnjës.
Po kush ishte Kristaq Gogoni?
Ai u lind në 20 tetor të vitit 1940. Fillimet e para në futboll i pati me Lushnjën, për të kaluar më tej te Partizani. Por, nga të kuqtë u tërhoq shpejt pasi mendja dhe dëshira e tij ishte vetëm të përfaqësonte lagunarët. Kësisoj u rikthye sërish në Lushnjë duke luajtur deri në vitin 1975 me Traktorin.
Asokohe u shndërrua në emblemën e kësaj skuadre dhe pas “varjes së këpucëve në gozhdë”, mbeti simbol i këtij qyteti. Gjithashtu ka qenë mësues dhe trajner i përkushtuar i klasave sportive. Është nderuar me dekoratat “Mjeshtër Sporti” dhe “Qytetar Nderi i Lushnjës”.