Ish-futbollisti dhe trajneri serb Sinisa Mihajloviq ka vdekur të premten, pas një beteje të gjatë me sëmundjen e leukemisë.
Ai ishte 53-vjeçar dhe e kishte luftuar sëmundjen që nga viti 2019.
Në mars të këtij viti, ai njoftoi se do t’i duhej t’i nënshtrohej një tretmani të ri për ta luftuar këtë sëmundje sërish, pasi e kishte mposhtur një herë.
Mihajloviqi e drejtoi klubin italian Bologna deri në shtator, kur u shkarkua pas rezultateve të dobët të skuadrës në fillim të sezonit të ri.
Mihajloviqi njihej si një nacionalist dhe kundërshtar i pavarësisë së Kosovës. Ai e kishte përkrahur haptazi regjimin e kriminelit serb Slobodan Miloseviq.
Lajmi për vdekjen e tij u konfirmua nga familja e tij.
“Bashkëshortja Arianna, fëmijët Voktorija, Virginia, Miroslav, Dusan dhe Nikolas, nipi Violante, nën Vikyorija dhe vëllai Drazen me dhimbje njoftojnë për vdekjen e padrejtë dhe parakohshme të burrit, babait, djalit dhe vëllait shembullor, Sinis Mihajloviq”, thuhet në njoftimin e familjes.
Mihajloviq ishte diagnostikuar me leukemi në vitin 2019. Ai ishte shënuar pas një tretmani, por në mars njoftoi se sëmundja i ishte rikthyer prandaj iu desh t’i nënshtrohej një cikli të ri të kimioterapisë.
Ai kishte mbetur në postin e trajnerit të Bolognës gjatë mjekimit, por u shkarkua në shtator pas një fillimi të dobët të sezonit.
Si lojtar, Mihajloviqi i zhvilloi 315 ndeshje në Serie A, duke i shënuar 38 gola.
Ai ishte trajneri i Kombëtares së Serbisë, si dhe klubeve të Serie A si Milan, Catania, Sampdoria, Torino dhe Bologna së fundmi.