Futbolli shqiptar është në zi. Lajmi i ndarjes nga jeta të ish-lojtarit të Dinamos ka trishtuar të gjithë sportdashësit dhe jo vetëm. Stavri Lubonja ka mbyllur sytë përgjithonë në moshën 89-vjeçare. Prej kohësh vuante nga një sëmundje e rëndë, e cila i mori jetën në New Jersey.

Kujtojmë se në vitet 60’ është shpallur kampion me Dinamon për herë të parë, teksa ka ngritur lart trofeun e titullit edhe 2 herë të tjera.
Gjithashtu me dinamovitët është shpallur edhe golashënuesi më i mirë në kampionat me 11 gola në vitin 1959, ndërsa në karrierën e tij ka qenë pjesë e Kombëtares dhe trajner e pjesë e klubit të Dinamos.

Lajmin per ndarjen nga jeta te Lubonjes e ka publikuar edhe presidenti i FSHF-se Armand Duka i cili njekohesisht u ka shprehur ngushellimet familjareve per kete humbje te madhe. Numri 1 i futbollit shqiptar shkruan:

“Një lajm i trishtë për komunitetin e futbollit na erdhi në këtë fundvit. Është ndarë nga jeta Stavri Lubonja, ish-sulmues i shquar i viteve 1950-’60 i Dinamos dhe ekipit Kombëtar. Golashënues i spikatur dhe lojtar elegant, që pasi e mbylli me futbollin e luajtur vijoi karrierën si trajner dhe drejtues i klubit Dinamo.

Personalitet i vlerësuar nga i gjithë komuniteti i futbollit për natyrën e çiltër dhe respektin që kishte për njerëzit e futbollit dhe kolegët. I shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes Lubonja dhe të afërmve e miqve të tij. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”