Nga Maringlen ZHIVANI

Ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme një tjetër legjendë e futbollit shkodran dhe atij shqiptar, Paulin Ndoja. Pas Medin Zhegës, Ramazan Rragamit dhe Sabah Bizit, është shuar edhe ylli i fundit i kësaj katërshe të famshme, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar në futbollin shkodran dhe atë shqiptar.

“Mjeshtri i Madh” ka mbyllur sytë në moshën 79-vjeçare, në Itali duke lënë pas një karrierë të ndritshme në futboll. Në fakt, nëse flasim për historinë e futbollit në Shkodër, padyshim që emri i parë që të bie ndërmend është ai i Paulin Ndojës. Ai lindi në Shkodër me 19-dhjetor 1945 dhe në moshë të re nis të merret me futboll, duke spikatur menjëherë.

Në moshën 20-vjeçare, ai arriti të fitonte Kupën e Shqipërisë me ekipin e Vllaznisë, pikërisht në vitin 1965. Më pas e dërgojnë ushtar në Skrapar dhe rikthehet sërish në Shkodër për të dhënë kontributin e tij në fitimin e titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë në sezonin 1971-1972. Një vit më vonë do ta largonin nga futbolli për arsye biografike.

Në vitet ’80, do të niste detyrën e trajnerit te portierëve, të cilën do ta ushtronte deri para pesë vitesh. Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Ndoja për humbjen e njeriut të saj të dashur. I përjetshëm qoftë kujtimi yt Mjeshtër!