Mëngjesin e sotëm është ndarë nga jeta një tjetër legjendë e futbollit shqiptar, Sefedin Braho. Në moshën 71-vjeçare, ish-sulmuesi i Kombëtares, Partizanit dhe Luftëtarit të Gjirokastrës, Sefedin Braho, ka humbur jetën pas një beteje me sëmundjen në ditët e fundit, ku si pasojë ka pasur hemoragji në stomak.
Braho spikati falë talentit të tij, duke qenë një prej lojtarëve më të shquar të futbollit shqiptar në vitet 70-80. Ai njihej me nofkën “shigjeta”, për shkak të shpejtësisë, elegances dhe driblimit të tij.
Në kampionatin shqiptar ka luajtur për Partizanin dhe Luftëtarin, ndërsa me ekipin përfaqësues ka zhvilluar 9 ndeshje, duke realizuar edhe një gol.
Lajmin per ndarjen nga jeta te kesaj figure te madhe te futbollit, e ka bere te publikuar edhe vete Federata Shqiptare e Futbollit e cila ne faqen e saj shkruan:
Një ditë e trishtë për futbollin shqiptar!
Sefedin Braho, emër i madh i Luftëtarit, kampion me Partizanin, pjesë e Kombëtares shqiptare, është ndarë nga jeta ditën e sotme. Me shpejtësinë dhe driblimet e tij fitoi zemrat e tifozëve gjirokastritë dhe të gjithë atyre që e dashurojnë futbollin.
Federata Shqiptare e Futbollit i përcjell familjes së Sefedin Brahos, të afërmve dhe miqve, ngushëllimet më të sinqerta! U prehsh në paqe Sefedin Braho!