Nesër kishte planifikuar të nisej bashkë me shokët e ekipit drejt Italisë për të marrë pjesë në një turne që do të zhvillohet atje, por nuk kishte qenë e shkruar të ndodhte kështu. Një aksident i ndodhur ditën e djeshme i ka kushtuar rëndë Fabian Shpatit, futbollistit të vogël të ekipit “Djelmnia Shkodrane”.
Ai ka qenë duke udhëtuar me një motor ditën e djeshme bashkë me një shokun e tij 16 vjeçar në vendin e quajtur “Stom Golem” dhe në një momenti ata kanë përfunduar jashtë rruge. Shoku i tij ndërroi jetë në vend, ndërsa Fabiani ndonëse në gjendje kritike u dërgua në ambientet e Spitalit Rajonal Shkodër, me shpresën tek Zoti se gjendja e tij do të përmirësohej.
Por nuk ka qenë e thënë të ndodhte kështu. Në orët e paradites së sotme, Fabiani ka ndërruar jetë dhe ky padyshim që ka qenë lajmi më i keq që mund të merrnin familjarët dhe të afërmit e tij, por edhe shokët e ekipit dhe trajneri Altin Xhahysa.
Një humbje tragjike e një futbollisti që muajin e kaluar kishte mbushur 13 vjeç dhe kishte shumë ëndrra për të ardhmen. Por nuk kishte qenë e thënë të ndodhte kështu sepse mesa duket Zoti e deshi pranë vetes.
Gazeta “Shkodra Sport” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Shpati për humbjen e djalit të saj, e po ashtu edhe “Djelmnisë shkodrane” për humbjen e futbollistit të së ardhmes. I përjetshëm qoftë kujtim yt Fabian!