Vllaznia fitoi sot 9-1 ndaj Kinostudios në ndeshjen e rradhës për kampionat dhe në fakt, kjo nuk përbën ndonjë risi sepse ekipi shkodran vazhdon të fitojë e të mos ndalet në rrugëtimin e saj drejt titullit të tetë kampion/
Por e veçanta e kësaj ndeshje, ka qenë aktivizimi në portën e saj i Ardiola Raxhimit. Ajo rikthehet të luajë sërish pas tetë muajsh dhe vjen pikërisht tre muaj pas lindjes së djalit të saj. Një gjest vërtetë i rrallë!
Më 30 korrik të vitit të kaluar, Ardiola do të luante në finalen e kupës së Shqipërisë ndaj Apolonisë, ndeshje kjo që u luajt në Elbasan dhe në fund të saj, ngriti e para lart trofeun e fituar nga ekipi i Vllaznisë.
Në atë ndeshje ajo luajti 17 javëshe shtatëzënë dhe në fakt pakkush e dinte këtë gjë, por Raxhimi vendosi të sakrifikonte dhe në fund e ndau gëzimin e suksesit me të gjithë. Por në deklaratën e dhënë për “Shkodra Sport” atë ditë pas ndeshjes, ajo deklaronte se në fazën e dytë të kampionatit të ri, do të rikthehej sërish në fushë.
Dhe në fakt kështu ka ndodhur. Ardiola Raxhimi sot ka zbritur sërish në fushë. Ka ndodhur në ndeshjen ndaj Kinostudios që Vllaznia e fitoi 9-1 dhe ajo mbrojti portën e ekipit shkodran në suksesin e rradhës.
Por interesant ka qenë fakti se për të parë nënën e tij duke luajtur, në tribunën e “Reshit Rusi” ka qenë edhe Anuari tre muajsh, i shoqëruar nga gjyshërit e tij. Dhe menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, Anuari ka zbritur në fushë dhe tek dhomat e zhveshjes duke përfunduar në duart e nënës-portiere.
Një gjest që ndodh rrallë në fakt, por Vllaznia duket se është ekipi i surprizave. Dhe jo vetëm për rekordet në fushën e lojës, por edhe për të tilla risi e të veçantë siç është rasti i Ardiola Raxhimit që rikthehet të luajë vetëm pas tre muajsh nga lindja e djalit të saj.
Gjergj KOLA