Pak ditë më parë në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” ka ndodhur një ngjarje e veçantë gjatë zhvillimit të ndeshjeve finale të kampionatit kombëtar të boksit. Në ring zhvillohej një ndeshje shumë e bukur por ndërkohë në rradhët e tifozëve të pranishëm ka patur edhe nga ata që nuk e kanë patur mendjen tek kjo sfidë.

Ndodh edhe kështu në fakt. Ka qenë finalja e peshës super të rëndë që po zhvillohej dhe në ring Nelson Hysa, kampioni shumëvjeçar kishte përballë shkodranin e ri Albert Kapaj. Ndeshja kishte rivalitet dhe gjithë tifozët shihnin me kërshëri këtë përballje por vetëm njëri nuk e kishte mendjen aty, Marloni, djali 2 vjeçar i Nelsonit.

I vendosur diku tek njëra nga tribunat e pallatit të sportit bashkë me nënën e tij, Marloni as që nuk e kishte mendjen tek i ati. Krejt indiferent, ai shpeshherë duke luajtur ishte me shpinë nga ringu. Duket se pasardhësi i boksierit 19 herë kampion, nuk e ka shumë dëshirë boksin.

Edhe në momentin e ceremonisë së shpalljes kampion dhe të marrjes së medaljes, Nelsoni deshi ta marrë të birin në ring për të bërë një foto por ai më shumë qante sesa kishte dëshirë të ngjitej aty dhe aps shumë tentativash ka pozuar bashkë me babain-kampion. “Nuk e ka aspak dëshirë boksin por me kalimin e viteve besoj se do t’ia injektoj pasionin për këtë sport. Unë nuk do ta lë boksin pa e filluar Marloni dhe peshat e rënda do jenë sërish pronë e familjes Hysa madje edhe djalin tim ka për ta ngjitur në ring si trajner Zef Gjoni sepse ai nuk ka ndër mend të tërhiqet deri atëherë”-thotë me të qeshur Nelson Hysa.
© shkodrasport.com