Një risi në futbollin e moshave në Shkodër. Një ekip i futbollit të femrave do të marrë pjesë në kampionat duke u ndeshur me ekipe djemsh. Ndodh kështu me ekipin e vajzave të Vllaznisë i cili është rregjistruar në kampionatin e moshës U-13 dhe madje të dielën që shkoi ka luajtur edhe ndeshjen e parë të kampionatit. Atë ndaj ekipeve të djemve të The Door. Sigurisht që rezultati në të tilla raste nuk ka shumë rëndësi sepse për drejtuesit e ekipit e rëndësishme është që këto vajza të vogla të luajnë.
Presidenti Lazer Matija në një prononcim për “Shkodra Sport” në lidhje me këtë gjë ka deklaruar: “Ne kemi filluar punën prej kohësh për afrimin e vajzave të vogla në ekip dhe përderisa rregullorja e futbollit e lejon që vajzat dhe djemtë të luajnë sëbashku në kampionat deri në moshën 14 vjeç, e rregjistruam dhe kemi filluar ndeshjet. Besoj se interesi i vajzave për futbollin po rritet nga dita në ditë dhe për këtë arsye, jemi të hapur për këdo që ka interes për këtë sport, të ofrohet sepse në fund të fundit duke u marrë me sport, askush nuk humbet. Për më tepër që këto vajza të vogla kanë se çfarë të ndjekin, pikërisht shembulli e vajzave të ekipit të parë që jo vetëm janë kampione absolute të Shqipërisë por edhe shumica e tyre janë pjesë e ekipeve kombëtare”.
© shkodrasport.com