Fundjavën që shkoi në Milano të Italisë është zhvilluar një konferencë për shtyp ku është bërë edhe prezantimi i turneut ndërkombëtar “EAGLE CUP ALBANIA 2025” që do të zhvillohet në vendin tonë në datat 8-16 qershor. Turne ky që do të jetë për ekipet U19 nga Shqipëria dhe mbarë Bota.
Në këtë konferencë për shtyp përveç organizatorëve, kanë qenë të pranishëm edhe disa emra të mëdhenj të futbollit italian që do të jenë edhe ambasadorët e këtij eventi të rrallë për vendin tonë, si për shembull Fulvio Collovati, ish- lojtar i Milanit dhe kampion Bote me Italinë në vitin 1982, Domenico Marocchino, ish- lojtar i Juventusit kampion Italie, Enzo Gambaro ish- lojtar i Milanit kampion Italiet dhe njëkohësisht zëdhënës i fondacionit shqiptar që do ta organizojë këtë event, Alberto Bigon ish-lojtar i Milanit dhe trajner i disa skuadrave jo vetëm italianre dhe gjithashtu trajner i Maradonës me të cilin fitoi tilullin Kampion italie në vitin 1990.
https://www.facebook.com/share/v/158wpVoQuV/?mibextid=wwXIfr
E gjithë kjo pjesmarrje e figurave të tilla ka të bëjë me faktin se kemi të bëjmë me një aktivitet të rëndësishëm i cili është ekskluzivitet i turneut të famshëm “VIAREGGIO CUP” i cili në 75 vjetorin e krijimit të tij, i ka dhënë fondacionit “ALBITSOL” të udhëhequr nga sipërmarrës shkodranë, për ta organizuar për herë të parë në Shqipëri.
Kujtojmë që “VIAREGGIO CUP” në vite i ka dhuruar futbollit italian shumë futbollistë shumë të njohur nga e mbarë Bota, ndër të cilët përmendim edhe shqiptarët Elseid Hysaj, Kristjan Asllani, Saimit Ujkani etj.
Drejtuesit e Fondacionit shqiptar “ALBITSOL” kanë arritur të sigurojnë edhe partnet strategjik në Shqipëri të cilët do t’i ndihmojnë për organizimin e këtij turneu në vendin tonë, duke filluar me Universitetin e Sporteve të Tiranës dhe rektorin e tij Agron Kasa dhe nën patronazhin e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe veçanërisht të presidentit të saj Armand Duka.
Turneu parashikon të ketë një konkurrencë të madhe sepse në të do të përfshihen talente të reja nga e gjithë bota duke përfaqësuar jo vetëm një mundësi sportive dhe sfidë, por edhe një platformë të rëndësishme për shkëmbimin sportiv dhe edukativ. Deri më tani kanë konfirmuar pjesmarrjen një numër i konsiderueshëm ekipesh nga Italia, Franca e vende të tjera, ndërkohë që organizatorët shpresojnë që pjesë e tij të bëhen edhe ekipet shqiptare dhe veçanërisht Vllaznia U19, skuadra e qytetit të lindjes së disa prej sipërmarrësve dhe drejtuesve të Fondacionit që e organizon atë.
Organizatorët bëjnë të ditur për gazetën “Shkodra Sport” se qytetet mikpritëse të “EAGLE CUP ALBANIA 2025”, do të kenë edhe një vëmendje mediatike ndërkombëtare, sepse eventi parashikon një perfshirje masive te mediave internacionale si SKY Sport, DAZN, MEDIASET, RAI SPORT etj. Ata janë të mendimit se viti 2025 do të jetë viti i sportit për shqiptarët dhe pas “GIRO D’ ITALIA” që do ta ketë startin këtë vit nga Shqipëria, edhe ky turne i futbollit do të jetë një vitrinë e mirë për vendin tonë.

Sipërmarrësit shkodranë që drejtojnë Fondacionin “ALBITSOL” shpresojnë shumë që përpos Tiranës që deri tani ka shprehur gatishmërinë për ta mirëpritur turneun e tyre, edhe Shkodra të jetë mikëpritëse e tij, për më tepër që ajo ka fituar të drejtën për të qenë edhe “Qyteti Europian i Sportit” për këtë vit.
Deri më tani nuk ka asnjë sinjal, por ata shpresojnë që drejtuesit e Bashkisë Shkodër të shfaqin interes për ta mirëpritur këtë turne në një nga ditët e zhvillimit të tij. Ky turne nuk është vetëm një garë sportive, por një trampolinë për të favorizuar bashkëpunimin global mes institucioneve, akademive dhe shoqatave sportive dhe një mesazh i fortë për të rinjtë që besojnë në fuqinë e futbollit si mjet të bashkimit dhe rritjes.(www.shkodrasport.com)