Nuk ka arritur ende të bëjë të madh Brazilin, por Nejmar mund të mburret që tani se ka kaluar disa nga legjendat më të mëdha të “seleçaos”, edhe pse vetëm 26-vjeçar dhe më shumë vite përpara në radhët e kësaj përfaqësueseje.
Numri 10 zbriti mbreme në fushën e lojës për herë të 93-të me fanellën e Kombëtares A të Brazilit, një shifër mbresëlënëse po të llogaritësh moshën e tij të re, duke u bërë që tani një prej më të aktivizuarve në historinë e saj, duke mbajtur tani vendin e 11.
Ai kaloi mbreme emra legjendarë që kanë veshur këtë fanellë, si Pele, Rivelino e Kaka të cilët kishin luajtur nga 92 ndeshje, apo edhe Dida e Dunga që e kishin veshur 91 herë fanellën e Brazilit.
Me këtë ritëm, brenda vitit të ardhshëm Nejmar mund të hyjë mes 5 lojtarëve më të aktivizuar në historinë e Brazilit, ndërsa ka edhe pak rrugë për të arritur vendin e parë që mbahet nga Kafu, i cili ka luajtur 142 ndeshje me “Seleçaon”.
Gjatë karrierës së tij, Nejmar ka shënuar 59 gola e dhënë 40 asist që nga debutimi i tij në vitin 2010. /vipsport/