Shqipëria U-19 e trajnerit shkodran Armando Cungu ka mësuar pak ditë më parë emrat e rivalëve që do të ketë përballë në fazën kualifikuese të kampionatit europian 2023-2024 për këtë grupmoshë. Shorti i hedhur nga UEFA në Nion të Zvicrës e vendosi Kombëtaren e Shqipërisë U-19 në grup së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë.

Pas konsultimeve mes federatave të katër vendeve pjesëmarrëse dhe UEFA është vendosur që ndeshjet e kualifikueseve të zhvillohen në Shqipëri në datat 15, 18 dhe 21-nëntor të vitit të ardhshëm, 2023.

Megjithatë, nuk është vetëm ky detaji interesant. Te Irlanda U-19 ndodhen edhe tre futbollistë shkodranë, mes të cilëve edhe Rocco Vata, djali i Rudi Vatës. Poashtu, së bashku me të ka edhe një emër shumë të njohur, siç është Kevin Zefi, i cili luan me të rinjtë e Interit dhe deri më tani e ka refuzuar Shqipërinë.

Në fund, për të plotësuar treshen e shkodranëve që do të vijnë në Shqipëri për të përfaqësuar Irlandën, do të jetë edhe Justin Ferizaj, i cili luan për Shamrock Rovers, madje edhe me ekipin e parë të tij në ndeshjet e Europa League.
Maringlen ZHIVANI