Historia e Armando Brojës nuk është një rrugë e thjeshtë, shtruar drejt suksesit. Djaloshi që pak kohë më praë mbushi të 20-tat ka kaluar një periudhë të vështirë në karrierë. Përpara tre sezonesh te moshat e Chelsea në Londër, sulmuesi kishte një ngërç në ecurinë e lojës, teksa dëshira dukej se ishte zbehur me futbollin.
Do duhej pikërisht një nxitje speciale që Broja të bëhej ky që është sot, me një kontratë deri në 2026 me Blutë e Londrës, “vrasës” para porte dhe special për Shqipërinë e futbollit.
Ka qenë trajneri Edi Martini që ka bërë çmos që ai të bashkohej me ngjyrat kuqezi të moshave, me familjarët që nuk e kanë menduar dy herë se cilën kombëtare do zgjidhte i riu.
Dukej se zgjedhja ka qenë vendimtare, me Brojën që veç dëshirës për futbollin iu rikthye edhe dëshira për golat me fanellën e vendlindjes së prindërve. Si një I ri lindur dhe rritur në Londër, Broja nisi të mësohet me realitetin shqiptar gjatë grumbullimeve, duke bërë edhe te Chelsea një paraqitje të mirë, teksa debutoi në Premier League me ekipin A, për t’u huazuar më pas në Hollandë e tanimë me Southampton.
Tre golat në tre ndeshjet e fundit me kuqezinjtë, kanë kthyer ëndrrën e shqiptarëve për një vend në play-off, që do të thotë më pranë arritjes historike që mban emrin Katar 2022. Sot në mbrëmje në 20:45 gjithë vëmendja do jetë në “Air Albania”, me djemtë e Rejas që kanë përballë Poloninë./newsport/