Ardhja e trajnerit Ernest Gjoka në krye të Vllaznisë duket se ka filluar t’i lëvizë në njëfarë mënyre ujërat në klubin Vllaznia. Ai nga sa shikohet, po kërkon një bashkëpunim më të madh me drejtuesit dhe trajnerët e Akademisë dhe po ashtu edhe me stafin e ekipit B. Javën e kaluar ka marrë në stërvitje një futbollist nga ekipi U-19, pikërisht mbrojtësin e majtë Senad Hysenaj ndërkohë që ditën e sotme me ekipin e parë do të dalë në stërvitje edhe një futbollist i ekipit B.

Këtë e ka zbuluar trajneri Ervis Kraja që për “Shkodra Sport” do të shprehej: “Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me stafin e ekipit të parë dhe trajneri Gjoka është i interesuar të shohë edhe elementin e ekipit B. Madje, sot një futbollist i ekipit tonë do të jetë në stërvitje me ekipin e parë në mënyrë që të tregojë vlerat dhe pse jo, ta bindë stafin për të qëndruar aty. Ekipi B për këtë punë është krijuar. Elementet e ekipit të parë që nuk luajnë aq sa duhet, të vijnë këtu për t’u aktivizuar dhe po ashtu, elementet që spikasin tek ekipi i dytë, të ngjiten më lart”.

© shkodrasport.com