Dritan Smajli është një ndër ish-lojtarët e Vllaznisë që janë prekur thellë nga rënia e shkodranëve në Kategorinë e Parë.

Ish-mbrojtësi i Vllaznisë, aktualisht trajner i ekipeve të moshave te klubi i Portos në Lezhë, në një intervistë për “Vipsport.al” zbulon edhe një detaj tronditës.

Sipas tij, një prej lojtarëve “jabanxhi” i Vllaznisë është gëzuar për rënien e shkodranëve nga Superliga.

Smajli, nuk ka dashur të zbulojë emrin e lojtarit në fjalë, por e quan “mostër” dhe e mallkon: “Ai mos paftë ditë të bardhë!”.

Sipas ish-mbrojtësit të Vllaznisë, Kukësit dhe Tiranës, një Superligë pa shkodranët nuk është më e tillë.

-Smajli, besoj edhe ju jeni i trishtuar për rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë…

-Më beso, nuk kam fjetur gjithë natën, pasi nuk e kam besuar një gjë të tillë, por ja që ndodhi. Mërzitja e trishtimi i kalon kufijtë.

Përmes një statusi, keni shprehur indinjatën tuaj kundër lojtarëve, por edhe drejtuesve. Cili mendoni se është fajtori kryesor për rënien e Vllaznisë?

-Doja që të shkruaja që para tri javësh, por nuk e bëra me shpresën që Vllaznia do shpëtonte. Por dhe po të shpëtonte do të ishte pothuajse i njëjti reagim, pasi ka vite që po shkatërrohemi nga kjo gjendje e Vllaznisë.

Padiskutim që faji fillon nga bashkia që asnjëherë nuk bëri gjënë e duhur, pra duke ia dhënë privatit. Kemi shumë kohë që e themi këtë, jo vetëm unë. Por asnjëherë nuk u dëgjua britma jonë.

Stafi nuk diti të menaxhojë gjithë këta lojtarë me emër, që pavarësisht se ishin shumë të mirë paguar, nuk bënë asgjë. Dhe, duhet të dini që lojtarët kanë fajin dhe përgjegjësinë më të madhe, pasi janë ata aktorët e fushës, sido që të jenë gjërat jashtë fushe.

Gjithë këta lojtarë nuk i pengoi askush që të vraponin, apo të çonin një top në rrjetë, por humbjet e barazimet u bënë të udhës.

Më besoni, edhe kur kam luajtur vetë, kurrë s’kam thënë që faji është i trajnerit apo i stafit, por gjithmonë i lojtarëve, pasi ne luajmë në fushë, jo trajneret.

-Disa prej lojtarëve aktualë të Vllaznisë i keni miq, duke qenë se keni luajtur me ta edhe në ekipe të tjera. Keni folur me ndonjë prej tyre dhe nëse po, si ndihen, çfarë të kanë thënë?

-Nuk kam folur, sepse e di në çfarë gjendje janë, sidomos shkodranët, pasi fundja, atyre iu bie barra më e madhe.

Ata janë përditë në Shkodër, ata janë përballë njerëzve gjithë kohën dhe statusin e kam bërë jo për gjithë lojtarët.

Ka edhe nga ata që kanë dhënë maksimumin. Por dhe një gjë dua të them; një lojtar jabanxhi, që Vllaznia e hoqi nga rruga dhe e mori në ekip, është shprehur që shyqyr që ra Vllaznia nga Superliga.

E kupton tani se çfarë mostra lojtarësh ka pasur aty? Këtë e them me siguri të plot pasi e kam informacion të sigurt. Ai lojtar mos paftë ditë të bardhë!

-Vllaznia i kërkoi nder Skënderbeut në javën e fundit, por edhe Partizanit. Por, të kuqtë u mposhtën nga Kamza. Tashmë opinioni në Shkodër fajëson edhe Partizanin. Si mendoni, është ky një arsyetim që qëndron?

-Këtu u gabua shumë, pasi për Skënderbeun nuk kishte nevojë të kërkonte nder, sepse ata na kishin borxh dhe isha i bindur që do na ndihmonin.

Më shumë gabuan me Partizanin, pasi u morën më shumë seç duhet duke futur dhe politikën brenda. Me Partizani nuk duhet të merreshin fare, por të shihnim si mbaronte ndeshja, pastaj mund të reagonin.

Duke qenë se u futën shumë personazhe për tri ditë me radhë, ata jam i sigurt që e kanë bërë nga inati dhe bënë atë që bënë duke dëmtuar Vllazninë.

Por siç ka thënë Edi Martini; bota është e rrumbullakët, jeta vazhdon dhe do vijë koha që Partizani do ketë nevojë për Vllazninë.

-Si mund të ringrihet Vllaznia? Çfarë duhet të bëjë klubi?

-Vllazninë e çon aty ku duhet vetëm Valter Fushaj. E njof mirë atë zotëri burrë. Ai e di si drejtohet dhe si menaxhohet klubi Vllaznia.

-E kishit menduar ndonjëherë se Vllaznia do të binte nga Superliga, duke qenë se edhe shenjat i kishte dhënë gjatë viteve të fundit?

-Çdo gjë kisha menduar, por jo që të binte Vllaznia nga Superliga. Këtë s’e kisha menduar kurrë. Është e vërtetë që ka 4-5 vite që vuan, por jo të binte nga Superliga.

-Si do të jetë sezoni i ardhshëm i Superligës pa Vllazninë?

-Kampionat i varfër. Pa Vllazninë, apo pa Tiranën nuk ka Superligë. Nuk e di nëse do e shoh Superligën në sezonin e ri./vipsport/