Para diçka më tepër se një vit u pat përfolur por është zbuluar vetëm tashmë. Kryebashkiakja e Shkodrës, zj.Voltana Ademi i ka ofruar një post drejtues në Klubin e Futbollit Vllaznia ish- futbollistit të kësaj skuadre Suad Lici. Këtë e ka zbuluar vetë ai në një prononcim të dhënë së fundi kur ka deklaruar: “Kryetarja e Bashkisë ka qenë shpeshherë e shqetësuar për situatën tek Vllaznia dhe ka ftuar njerëz të ndryshëm të futbollit për të marrë mendime.
Mua personalisht më ka ftuar tre herë në zyrën e saj, madje më ka ofruar edhe post drejtues tek Vllaznia por për rrethana të ndryshme personale dhe familjare, e kam refuzuar një gjë të tillë. Kjo nuk është diçka sekrete. Këtë propozim e ka bërë kur të pranishëm kanë qenë edhe njerëz të tjerë në zyrë. Megjithatë, unë pavarësisht dëshirës për të kontribuar për Vllazninë, i thashë “jo” sepse e kisha të pamundur. Mbase në të ardhshmen, gjërat edhe mund të ndryshojnë”. Sigurisht që ka një dilemë se çfarë posti mund t’i jetë ofruar Licit por të gjitha gjasat janë që atij t’i jetë propozuar posti i drejtorit sportiv. Kjo mund të ketë ndodhur në shtatorin e vitit të kaluar kur Armir Grima dha dorëheqjen nga një post i tillë. Por pas refuzimit të Licit, pastaj në këtë detyrë është emëruar Eugent Zeka, i cili vazhdon ta ushtrojë këtë detyrë edhe tani.
© shkodrasport.com