Vllaznia në basketboll për meshkuj vijon që edhe në këtë pragsezoni të jetë skuadra e problemeve duke u rikthyer sërish thuajse në stadin e dy viteve të fundit nga ku përveç anës ekonomike të dobët kishte edhe mungesa lojtarësh. Një tjetër basketbollist është drejt largimit nga ekipi shkodran. Bëhet fjalë për shtatlartin Herion Faslija. Shkodrani një pjesë të sezonit të kaluar luajti me Vllazninë dhe u duk sikur edhe këtë vit do të ishte pjesë e kuqebluve në skuadrën fillimisht të riformatuar që filloj një shpërbërje graduale. Shkodrani duke se ka një ofertë të majme nga skuadra e “Kamza Basket” e cila dëshiron të ketë shërbimet e tij për sezonin e ri

që akoma nuk është përcaktuar se kur mund të fillojë. Faslija ka dy ditë që nuk ka dalë në seancat stërvitore me Vllazninë duke sjellë një lloj pakënaqësia natyrale edhe për trajnerin Bledar Gjeçaj me të cilin akoma nuk është sqaruar tërësisht. Faslija ka bërë kërkesën të paktën praktikisht duke shprehur dëshirën për tu larguar nga Vllaznia por “Sport Klub Vllaznia” akoma nuk e ka dhënë miratim për ta lënë të lirë basketbollistin. Në fakt shkodrani apo Klubi i tij i ri duhet të paguaj gjobën e parashikuar prej 1 milionë e 500 mijë lekësh të vjetra për prishjen e njëanshme të kontratës. Kjo për arsye se Faslija ashtu si të gjithë basketbollistët e tjerë gjatë muajit shtator firmosi kontratën njëvjeçare me kuqeblutë por oferta ndoshta e papritur e “Kamza Basket” ka bërë që Faslija të kërkojë largimin e tij për faktin e vetëm se me Kamzën është e parashikuar një shumë më e madhe parash për firmën e tij me këtë ekip. Akoma nuk është vendosur përfundimisht për largimin e tij teksa në ditët në vijim do të marrë fund kjo histori e e dalë këto ditë. Pak ditë më parë nga Vllaznia drejt Teutës u larguan basketbollistët Fatjon Taraboshi e Erjon Llazani ndërkohë që Fatjon Halluni edhe pse kishte ofertë nga durrsakët vendosi të qëndrojë tek Vllaznia. Nëse edhe Faslija largohet nga kuqeblutë atëherë punët vështirësohen edhe më për shkodranët të cilët detyrohen të ndryshojnë objektivat teksa nga një ekip pretendent të mos kërkojnë më shumë se mbijetesën në grupin A.