Mauricio Sarri e mbyll në mënyrën e duhur, ndonëse përpara finales së parë sezonale, atë të Superkupës së Italisë kundër Lacios, paralajmëron se ndoshta në Arabinë Saudite, trioja e ëndrrave nuk do të shihet në fushë nga minuta e parë.

Gjithsesi, zbarkimi i tij në Torino ka qenë me këmbën e duhur, duke qenë se suksesi i djeshëm kundër dorianëve ishte i 100-ti në Serinë A, një shifër që përbën rekord lidhur me faktin se 60-vjeçarit, në epokën e tri pikëve për fitore, i janë dashur vetëm 169 ndeshje ndërsa Karlo Ançeloti, i cili e mbante këtë arritje deri dje, e kapi shifrën pas 185 takimesh.

“Entuziast për trion e sulmit? Dëgjoni… Unë mendoj për formën fizike të futbollistëve dhe jo për fantazinë që mund të krijojë kjo gjë në kokën e tifozëve apo të specialistëve. Nëse janë në maksimum, do të luajnë të tre, nëse jo, njëri do të qëndrojë në stol dhe këtu merr fund muhabeti, – nënvizon paksa nervoz trajneri i Juves.

– Në këtë moment duken të gjithë mirë, edhe pse në pjesën e dytë pashë pak si shumë lodhje tek ata. Dibala ishte mjaft mirë, shënoi një gol fantastik, por madhështor ishte mbi të gjitha ai i Ronaldos. Qëndroi në ajër për një kohë të pafundme dhe në kokë më kaloi e njëjta gjë që mendova pas golit të Dibalës: Si m… ka mundësi që të ndodhin gjëra të tilla!

Higuain nervoz për zëvendësimin apo për paraqitjen e tij? As më intereson fare, ndonëse e vërteta lidhet me diskutimin që bëra pak më lart. Pashë paksa lodhje në pjesën e dytë dhe Gonzalo u duk sikur u fik, ndërsa Sampdoria po na sulmonte. Prandaj duhen bërë mirë vlerësimet, – vazhdon Sarri, i cili përgëzon edhe dy të rikonfirmuarit.

– Rabio dhe Demiral më pëlqyen shumë. Adrien po nis të tregojë pak nga pak cilësitë e tij, pas një periudhe shumë të gjatë pa luajtur, gjatë epokës së PSGsë. Ndërsa Demiral ka një energji aq të madhe brenda vetes, e cila duhet shfrytëzuar në maksimum dhe jam shumë i lumtur për të dy këta futbollistë, që kanë vuajtur mjaft duke qëndruar në pankinë në fillim të sezonit”.