Pesimizmi në kampin shkodran për një të ardhme të sezonit aspak më të mirë sesa deri tani, ka pushtuar jo vetëm tifozët kuqeblu por edhe më gjerë. Njëri nga ata që nuk është aspak I kënaqur me mënyrën si shkojnë punët aktualisht tek Vllaznia, është edhe ish-futbollisti dhe ish-trajneri I saj Edi Martini. I pranishëm në Ulqin ditën e shtunë për të ndjekur miqësoren Vllaznia- Luftëtari, 37 vjeçari ka deklaruar se në fushën e lojës, nuk vërejti asnjë lloj ndryshime mes dy skuadrave, pavarësisht se njëra bën pjesë në Superligë dhe tjetra në kategorinë e parë.

“Dua të them se vërtetë Luftëtari luan në kategorinë e parë por të mos harrojmë se ajo ndodhet në vendin e parë në këtë kategori, ndërsa Vllaznia në vend të tetë në superligë. Kjo do të thotë se mes këtyre dy skuadrave nuk mund të vëresh ndryshime të mëdha, madje në gjithë futbollin shqiptar, diferencat mes ekipeve janë shumë të vogla. Sa për Vllazninë, të them të drejtën prisja më shumë. Pashë shumë fytyra të reja në rradhët e saj, por çka është më e keqja, ata nuk bënin diferencë me lojtarët shkodranë dhe prandaj mendoj se është gabim të harxhohen para me marrjen e tyre”-ka thënë Martini. Ish-trajneri I Luftëtari, Laçit, Vllaznisë dhe Teutës për momentin është pushim. Ka preferuar të qëndrojë larg pankinave gjatë kësaj periudhe, edhe pse ka lëvizur shumë jashtë vendit për disa punë personale. Megjithatë sa herë që është këtu, sigurisht që ndjek ndeshjet, ndjek Vllazninë- skuadrën e tij të zemrës nga larg dhe herëpashere jep edhe mendimet rreth saj. Ka bërë kështu edhe pas miqësores së saj me Luftëtarin. Por është habitur kur ka mësuar faktin se tek skuadra shkodrane stërviteshin 13 futbollistë të huaj. “Kjo është e papranueshme. Vllaznia nuk duhet të arrijë deri në këtë pikë sa të ketë në stërvitje 13 të huaj por ky fakt, tregon se kjo skuadër ka probleme të mëdha”-ka thënë ai. Në fund edhe një pyetje tjetër për Martinin: Si e gjykon ecurinë e skuadrës shkodrane në pjesën e dytë të sezonit? Përgjigja e tij ka edhe ironinë Brenda por edhe pesimizmin prandaj thotë: “Ishalla nuk bahet ajo që mendoj unë”. Që do të thotë sipas kësaj logjike se Edi Martini mendon që Vllaznia do rrezikojë edhe qëndrimin në kategori me gjithë këta probleme që ka aktualisht.

www.shkodrasport.com