Vetë trajneri aktual i Vllaznisë Rudi Vata ndoshta e ka parë si një kundërshtar. Ndoshta edhe si sfidant për t’i marrë postin e trajnerit tek Vllaznia. Megjithatë Edi Martini duket se nuk e ka ndër mend këtë gjë për momentin. Nuk e ka patur ambicje dhe nuk do ta ketë edhe për një kohë tjetër. Por ndonjë intervistë e tij gati 3 javë më parë kur skuadra shkodrane ishte në Ulqin duke u stërvitur, u keqkuptua nga trajneri që drejton për momentin atë.
Madje në distancë, pati edhe ndonjë replikë aspak të këndshme. U duk se kjo situatë do krijonte një konflikt në distancë mes këtyre dy emrave të njohur të futbollit shkodran por nuk ka ndodhur kështu. Martini, i cili duhet pranuar se kohët e fundit, më shumë ka qenë jashtë Shqipërisë sesa brenda saj, ka folur sërish. Këtë herë duke komentuar në faqen e gazetës tonë. Sërish ai është kritik, jo ndaj Vatës por ndaj drejtuesve të klubit dhe atyre të Bashkisë që sipas tij nuk po dinë të menaxhojnë siç duhet Vllazninë.Duke komentuar rezultatet e fundit të kësaj skuadre që nuk kanë qenë aspak të mira, Martini do shprehej: “Më vjen keq vetëm për Rudin sepse Vllaznia me “Galanen” dhe Bashkinë, atë çfarë mbollën po korrin. Zoti e ruajtë Vllazninë, prej injorantave dhe nallbanëve”. I ashpër dhe i drejpërdrejtë për të kritikuar mënyrën si po menaxhohet skuadra e tij e zemrës. Me këtë deklaratë, ai pason edhe atë tjetrën të bërë pak kohë më parë kur thoshte “ishalla nuk bahet ajo çfarë mendoj unë”. Pra që Vllaznia nëse nuk e merr seriozisht, mund të rrezikojë edhe rënien nga kategoria. Këtë herë është apeli i dytë i Edi Martinit dhe mbase duhet dëgjuar sepse e njeh mirë kampionatin dhe realitetin shqiptar.
www.shkodrasport.com