Teuta dhe Partizani masin forcat nesër në Elbasan Arena, me fillim nga ora 16.00. Në prag të kësaj sfide ka folur trajneri i durrsakëve, Edi Martini. Trajneri është optimist, ku shpreson te 3 pikët. Ai thotë se nuk ka rëndësi se si luan, por rezultati i cili do arrihet në fund.
“Sulmi deciziv? Jam me atë që sulmi, mbrojtja dhe mesfusha janë një. Sulmohet dhe mbrohet me çdo lojtarë. Kanë detyrë të shënojë kushdo. Janë edhe goditjet standarde, janë edhe mesfushorët në lojë. Me rëndësi është të fitojë ekipi dhe ata që luajnë në sulm të punojnë për ekipin në të dyja fazat. Shpresojmë të fitojmë.
Preferoj të luaj keq si me Kukësin dhe Partizani të luajë mirë si me Laçin dhe në fund të fitojmë ne. Ekipet poshtë u kanë marrë pikë edhe ekipeve të tjera, Kastrioti ka ndalur edhe Laçin e Partizanin. Edhe Bylisi u ka marrë pikë në Ballsh të tjerëve. Nuk është se ne me ta barazuam në Durrës, ku do ishte shumë hap fals.
Megjithatë me Kastriotin e bëmë një hap fals, e nënvlerësuam kundërshtarin dhe menduam për kupën dhe ndeshjet e tjera të kampionatit me rivalët kryesorë. Nuk ka ekipe të dobëta e të forta, diferencat janë të vogla dhe duhet përqendrim. Tre pikët të çojnë përpara, pavarësisht kundërshtarit”.
“Mungesat e pasimeve te Krasniqi? Ky është këndvështrimi juaj. Kemi pasur raste plot dhe nuk i kemi shfrytëzuar. Ne kemi shpërdoruar pafund, edhe të fundit e të parafundit. Ekipi mbron i gjithi dhe sulmon i gjithi. E rëndësishme është ta dalim para porte dhe pastaj është edhe çështje fati” – tha ai./newsport/