Trajneri Edi Martini, deklaroi në emisionin “Skaner” në MCN TV, se e priste një telefonatë nga Vllaznia, për drejtimin e skuadrës shkodrane. Martini zbuloi edhe arsyet e largimit nga Teuta, ndërsa duke u kthyer te Vllaznia, tha se duhen këllqe që të flitet për titullin kampion, që sipas tij, dikush i ka dhe dikush jo.

“Së pari dua të them, se për disa arsye të miat të mija doja të isha në Shkodër. Doja të isha në shtëpi për arsye personale dhe më duhej të largohesha nga Durrësi. Nuk kam pasur kontakte me asnjë nga Vllaznia. Besoja se mund të vinte një kontakt nga presidenti Xhaferri. Çuditërisht nuk erdhi ky kontakt. Nuk kam asnjëlloj zhgënjimi.

Vllaznia është e Shkodrës, nuk është e individëve. Nuk kam asgjë për të thënë për këtë. Unë sa herë jam takuar me presidentin Xhaferri, i kam dhënë mendimet e mia.

Unë kam parë, që nuk ka shumë nevojë për mendimet e mia, sepse ka stafin e vet. Memellit i uroj suksese. Futbolli kështu është. Unë dua që të gjithë kolegët të ecin mirë në rrugën e tyre.

Tifozët shkodranë, janë më kritikët. Janë të dashuruar me futbollin. Unë jam i bindur se Memelli me punën e tij, mund t’i bindë tifozët që ta mbështesin. Tifozët janë të acaruar, por Vllaznia nuk është një person, një individ.

Është një histori ku çdo njeri ka vënë pjesën e tij. Teuta dhe presidenti Hasanbelliu, janë dy gjëra të afërta për mua. Kisha shkuar atje deri në qershor.

Për momentin dua të vazhdoj këto që kam nisur këtu në Shkodër. Në të ardhmen, rrugët mund të na bashkohen sërish. Te Teuta kam arritur një sukses, që nuk e di nëse do e arrij ndonjëherë tjetër në jetën time. Vllazninë do e shikoj nga pjesa e tifozëve te 20-shja, sepse te pjesa me çati ka shumë specialistë”- eshte shprehur Edi Martini.
Maringlen ZHIVANI