Edi Martini mund të rikthehet sërish tek Teuta. Duket se pankina e skuadrës durrsake nuk gjen rehati me ndonjë trajner tjetër dhe për këtë arsye, po projektohet rikthimi i tij i pestë në “Niko Dovana”.

Në fakt u mendua se kjo gjë do të zyrtarizohej pas humbjes 0-2 mbrëmë ndaj Vllaznisë por për momentin duket se presidenti Hasanbelliu ende nuk e ka marrë vendimin përfundimtar për trajnerin Diego Longo.

Që para ndeshjes së mbrëmshme në stadiumin “Loro Boriçi” vetë pjestarë të stafit të Teutës bënin të ditur për gazetën “Shkodra Sport” se ky ishte shansi i fundit për teknikun italian dhe nëse ai do të humbte edhe ndaj Vllaznisë, do të largohej. Madje, burime pranë klubit Teuta bënin të ditur se ishte gati rikthimi i trajnerit Edi Martini.

Ky i fundit në fakt ka qenë i pranishëm në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” për ta ndjekur këtë ndeshje, por me siguri që nuk ka patur kontakte me drejtuesit durrsakë. Në opinion por edhe në media megjithatë emri i tij ka qarkulluar shumë për një rikthim të mundshëm në krye të kësaj skuadre.

Kujtojmë që Edi Martini është trajneri më i suksesshëm në historinë e klubit Teuta, me të cilën ka fituar 4 trofe, 1 titull kampion, Kupë të Shqipërisë dhe 2 Superkupa. Vetë Longo pas ndeshjes së djeshme është pyetur për marëdhëniet me drejtuesit e klubit dhe zërat për një rikthim të Edi Martinit dhe përgjigja e tij ishte e thjeshtë: “Pyetni mediat për këto lajme që qarkullojnë. Marëdhëniet e mia me drejtuesit e klubit janë shumë të mira”.

Megjithatë nëse nuk do të ketë një shkarkim sot të Longos, me siguri kjo do të ndodhë se atij i është dhënë edhe një shans tjetër, pikërisht në ndeshjen e së mërkurës ndaj Kukësit dhe nëse nuk fitohet edhe ajo, atëherë Edi Martini do “zbarkojë” në Durrës për herë të pestë./SHKODRA-SPORT.COM/