Trajneri i Teutës, Edi Martini është shfaqur i zhgënjyer për barazimin me Kukësin, duke dhënë se pikët në këto momente janë shumë të rëndësishme. Pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, Martini u shpreh se ndeshja ishte përgatitur për fitore.

NDESHJA– Kjo më mërzit më tepër sot, të jesh në avantazh dy herë dhe të pësosh dy gola, nuk na kishte ndodhur më parë. Ishte një ndeshje e rëndësishme na duheshin 3 pikët. Në pjesën e dytë duhet të qarkullonim më mirë. Fola me çunat pas ndeshjes dhe i thashë që të jenë me kokën lart, pasi kemi ndeshjen tjetër me Vllazninë dhe duhet të mendojmë për atë.

MBROJTJA– Pas kalimit në avantazh ne e rrisnim presionin në mbrojtje. Është rezultati që të tërheq, është kundërshtari që të detyron të tërhiqesh. Nuk e donim ne kështu, por edhe kundërshtari del me forca të shumta në sulm.

ALBANO ALEKSI- Ai është karakter i vështirë në lojë. E humb durimin. Na rrezikoi edhe me kartonin e verdhë, prandaj e zëvendësuam. I kërkuam të jetë i qetë për këtë ndeshje. Duam të shikojmë rastin e golit, është pjesë e gabimit tonë. Ishte bosh lojtari te goli i dytë në mbulim. Është në pikën tonë më të fortë. Këto janë gabime që në këto momente të penalizojnë.