Trajneri Edi Martini ka folur pas ndeshjes që Teuta barazoi 1 me 1 kundër Skënderbeut. Timonieri i durrsakëve kishte pengjet e tij.
Edi Martini deklaroi pas ndeshjes:

“Është momenti që na duhen pikë, 2 gola të anuluar, shumë raste, Skënderbeu erdhi njëherë në portë dhe shënoi. Është nga ato ndeshje, e dyta, pasi dhe me Elbasanin portieri ishte lojtari i ndeshjes. Lamë dy pikë, të mërzisin shumë.

Na mungoi forca sulmuese në pjesën e parë, kishim Arifin pas Tomës, vija sulmuese nuk tërhiqtë. Në pjesën e dytë ndërruam skemën. Dhe mungesa e Nasr. Është nga ato ndeshje që dhe goli nuk do të hyjë, Skënderbeu shënoi me një rast, është për ardhur keq.

Ne dhe dje e kemi provuar Nasr, kemi pasur shpresa, u ndje mungesa e tij. Kjo na bëri të ndryshojmë skemë në pjesën e dytë. Duhet të bënim më mirë në pjesën e parë. Nuk kam çfarë t’i them çunave, duhet të jemi më të qetë para portës, Toma humbet raste. Kemi raste, por kjo na mungon. Ai gol në fund që ishte pozicion jashtë loje, nuk duhet ta lejonim në atë moment të fundit, duhet të shënonim dhe ta mbyllnim ndeshjen para atij rasti”, u shpreh Martini për RTSH.