Problematika që doli në pah para ndeshjes së javës së shkuar mes Kamzës dhe Partizanit, ku 7 titullarë të kamzalinjve bojkotuan ndeshjen për rroga të pashlyera, u quajt si një skenar nga ishfutbollisti Edi Martini. Shkodrani e ka quajtur si pakt mes dy ekipeve, që çuan vjet në rrëzimin e Vllaznisë.
Martini parashikoi që titullarët e Kamzës do të ishin në fushë ndaj Vllazninë në ndeshjen e Kupës dhe ashtu ndodhi. Por më parë i është kundërpërgjigjur presidenti i Kamzës, Naim Qarri.
Më pas, Martini ka pohuar për “Panorama Sport”, se nuk dëshiron të flasë më gjatë për kampionatin shqiptar, pasi do të bëhej i keq me gjithë Shqipërinë dhe mund të bëhej “kokë turku”. Por debati ka vijuar edhe dje, duke u orientuar në një pistë tjerë, kësaj radhe mes shkodranit dhe tifozëve të kuq me komente në rrjetet sociale.
Pas eliminimit të Vllaznisë nga Kamza, ku golin e shënoi mbrojtësi i Partizanit i huazuar te kamzalinjtë, një tifoz e ka ngacmuar Martinin me një status: “Edi Martini, lojtari i Partizonit, Eno Bitri ju nxori nga Kupa. Vazhdo të flasësh akoma për ne!”. Më pas vjen përgjigjja e Martinit: “Haha. Edhe ju ta gëzoni kualifikimin se Hebaj e Çinari i kishin bo golat”.
Më pas hapet diapazoni i komenteve, ku Martini pohon se gjithnjë ka kritikuar fenomenet, madje edhe kryebashkiaken për administrimin e Vllazninë. Në fund, Edi Martini e mbyll shkëmbimin e komenteve me tifozët e Partizanit, me një urim të papritur: “Inshallah dilni kampionë, për ju dhe Skënder Gegën!”./panorama-sport/