Sa herë që shfaqet në media, lë diçka që tingëllon ndoshta jo mirë tek të tjerët. Ndodh kështu sepse ai është I drejtëpërdrejtë, pa komplekse dhe interesa. është fjala për Edi Martinin, ish-futbollistin dhe ish-trajnerin e Vllaznisë, ai që herë pas here komenton atë çfarë po ndodh tek skuadra e tij e zemrës.
E ka bërë këtë edhe për gazeten online www.shkodrasport.com teksa mundohet të analizojë sipas tij shkaqet që çuan në këtë ecuri kaq të dobët të skuadrës këtë sezon. “Sot ndoshta I duket çudi shumëkujt që mendon Vllaznia ka dështuar. Ata e shohin gjendjen e sotme dhe kujtohen të lëshojnë alarmin se çfarë po ndodh. Ndërsa unë jam nga ata që këtë alarm e kam lëshuar prej kohës, madje pa nisur sezoni. Ka qenë një miqësore që Vllaznia po luante në “Loro Boriçi” ndaj Adës në gusht, ende pa nisur kampionati kur në një takim që kisha me nënkryetarin e Bashkisë, z. Troshanin, drejtues të tjerë të këtij institucioni apo dhe sportdashës të ndryshëm, I thashë se skuadra do ketë probleme dhe pozicioni I saj në renditje do jetë diku në vendet 6-8. Z. Troshani por edhe ndonjë tjetër u habitën nga ato çfarë po thoja unë. Ai dhe ndonjë tjetër ishin në garë se cilin vend do të zinin, të dytin, të tretin apo më e keqja të katërtin. Sigurisht që nuk mund t’I kundërshtoja. I lashë në atë qejfin e tyre megjithatë nuk u vë shumë faj. Troshani apo dhe drejtues të tjerë të Bashkisë, kuptohet që nuk kanë shumë eksperienë në futboll por fajin kryesor e kanë ata që u qëndrojnë afër. Ata ua bënë të lehtë drejtimin e skuadrës por nuk është kështu. Për këtë arsye, nëse Vllaznia sot është e teta në renditje, fajin kryesor e kanë ata drejtues që e morën të lehtë këtë punë dhe jo trajnerat”-ka thënë Martini. Mirë që drejtuesit mund të kenë gabuar, po skuadra pse nuk reagon, është pyetja tjetër që shkon për të. Përgjigja është e një specialisti të mirëfilltë: “Ekipi nuk e ka kontigjentin e duhur të lojtarëve. Edhe ata që janë titullarë dhe më me eksperiencë e kanë të sigurtë vendin në formacion sepse nuk ka konkurrencë. E shohin që nuk ka kush t’u zërë vendin dhe prandaj e kanë shkrehur paksa. Mendimi im është se Vllaznia sot ka një ekip të dobët. Edhe lojtarët e ardhur në merkaton e janarit, nuk mendoj se do adaptohen shpejt dhe prandaj e shoh të vështirë ecurinë e skuadrës në pjesën e mbetur të sezonit”. Megjithatë për Martinin, vëmendja më e madhe duhet përqendruar tek kampionati sepse në kupë ka pak shanse të ecet përpara. Ai mendon se Vllaznia është pak e favorizuar nga fakti që disa nga ndeshjet me skuadrat e vendeve të fundit në renditje, I ka në Shkodër dhe ajo duhet ta shfryëtzojë këtë kalendar të mirë. “Ndeshjen me Kamzën për kampionat Vllaznia duhet ta vlerësojë në maksimum sepse nuk do ta ketë aspak të lehtë. Mendoj se I gjithë përkushtimi I skuadrës do jetë në kampionat sepse në kupë, besoj se edhe vetë drejtuesit shkodranë janë të bindur që Skënderbeu dhe Flamurtarit janë më të mirë se ata megjithëse në kupë çfarë nuk ndodhë. Por e përsëris, vëmendja duhet të jetë e përqendruar tek kampionati. Për fat me Kamzën, Apoloninë, Tomorin dhe Shkumbinin luajmë në Shkodër dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë gjë për të qenë të qetë. Po ashtu Dinamo e ndoshta edhe Apolonia nuk po tregojnë formë të mirë dhe prandaj Vllaznia është më e qetë ngaqë sivjet janë edhe 14 skuadra në Superligë sepse nëse do ishte kjo situatë sezonin e kaluar, jua garantoj që gjërat do kishin qenë më keq”-thotë Martini.
Gjergj KOLA