Kohë për të festuar te Teuta dhe këtë herë këtë e thotë edhe Edi Martini, arkitekti i kësaj skuadre që pas Kupës së Shqipërisë i solli qytetit të Durrësit edhe kalimin e turit në Europë përballë një kundërshtari me shumë emër si Beitar Jeruzalem.
“Ishte ndeshje e vështirë, e dinim forcën e kundërshtarit. E filluam ashtu si do ta dëshironim, shënuam shumë shpejt duke bërë nervoz kundërshtarin, e dinim që ishin shumë sulmues, i lëshuam territory, kishin pak raste, bllokuam pikat e tyre të forta, bëmë atë që kishim menduar të bënim para ndeshjes.
Krasniqi e Hebaj? Janë njëri më i mirë se tjetri, i falënderoj të dy, dhanë maksimumin. Janë njëri më i mirë se tjetri dhe gëzohem për ta.
Unë nuk do veçoja askënd, do veçoja si grup 18 apo 24 lojtarë, nuk kam nota për asnjë në veçanti. Shpirti i garës e sakrifica që kanë bërë këto ditë ka qenë për t’u admiruar, këto ndeshje nuk luhen, duhet marrë rezultat dhe ia arritën më së miri.
Raundi tjetër? E para të gëzojmë ditën e sotme, pastaj kemi kohë të mendojmë për raundin tjetër. Kjo është ndeshje e rëndësishme për klubin e arkat e klubit, është edhe lavdi për lojtarët tanë.
Kualifikimin ia dedikojmë familjeve tona, qytetit të Durrësit që na ka përkrahur. Edhe pse me stadium bosh, nga pallatet u dëgjuan ulërimat, e dimë që na kanë parë nga televizori.
Ne do të punojmë në merkato, se kemi një ekip të mirë, solid që është ruajtur me 90%. Ka ikur vetëm Kallaku, të tjerët janë, duke u shtuar të ardhurat e klubit, kemi mundësi të blejmë. Duhet të jemi të kujdesshëm që të bëjmë një ekip që pretendon kreun deri në fund.
Superkupa është ndeshje simbol, por çdo kupë duam ta marrim. Duam të fitojmë me shokët, aq më shumë kundër Tiranës. Duhet të pushojmë, kemi bërë shumë pak pushime. Do ta vlerësojmë, por nuk është prioriteti ynë, nuk është se ka ndonjë rëndësi të madhe.”, tha për TVSH pas sfidës tekniku i skuadrës durrsake. /vipsport/