Trajneri i Teutës, Edi Martini, thekson se tashmë loja e mirë nuk vlen asgjë, pasi skuadrës së tij i duhen pikët. Ai theksoi se ishte i kënaqur me paraqitjen e ekipit, por gjithsesi situata nuk ishte ndër më të mirat për shkak të trysnisë që sillnin pikërisht pikët që i mungonin.
“Në përgjithësi jam i kënaqur, por pikët janë ato që mbyllin hesapet në fund. Luaj mirë sa të duash, kur mungojnë pikët, shtohet presioni e nervozizmi, nuk je i qartë para portës. Kështu ndodhi edhe sot, më vjen keq se djemtë luajtën mirë, luftuan, por nuk ia dolën.
Afrimet do të jenë ndihmë e madhe, edhe pse Faust nuk ka gjendjen optimale dhe Gjini ka kohë pa luajtur. Nuk është kollaj të futen direkt në ritëm të ndeshjes, jam i kënaqur për të dy dhe jam i sigurt që do na japin një ndihmë të madhe në ndeshjet në vazhdim.
Daci dhe Peposhi u dëmtuan, Qaqi po ashtu nuk ishte mirë. Ishin zëvendësime të detyruara, ndonjë mund ta mbaja më shumë në fushë. E vetmja gjë që mund të bëja ishte t’i lutesha Zotit të hynte topi në rrjetë se rastet ishin aty, shtylla, meritë edhe e portierit. Kështu është futbolli. Nuk më ka mbetur gjë, dalim para portës, kemi rastet tona. Edhe për meritë të kundërshtarit nuk shënojmë. I kemi shanset, por duhet të shtyjmë topin në rrjetë që është më e rëndësishmja për ekipin.
Nuk ka ndeshje të lehta, nuk di kujt mund t’i thuash kalendar i ashpër apo i butë. Fusha tregon që ajo që mendon të lehtë bëhet e vështirë dhe e kundërta. Për mua kalendari është i vështirë çdo javë, vjen shpejt ndeshja me Tiranën dhe është shumë e rëndësishme për ne”, tha Martini për “MCN” pas ndeshjes.