Teuta humbi në ndeshjen që luajti përballë Partizanit. Në sfidën e zhvilluar në stadiumin “Arena e Demave”, durrsakët u mposhtën me rezultatin minimal 1-0.Pas kësaj sfide për mikrofonat e MCN TV, foli trajneri i Teutës, Edi Martini.
“Jemi të zhgënjyer me lojën. Pjesën e parë kemi pasur raste shumë të pastra. Kemi humbur penallti dhe Partizani nuk ka gjuajtur asnjëherë në portë. Unë nuk jam i kënaqur me lojtarët që u futën në pjesën e dytë. Ata lanë shumë për të dëshiruar. Futbolli nuk luhet vetëm me 11 vetë, por edhe me zëvendësuesit. Penalltia do të ndryshonte ndeshjen pasi ne do të fitonim. Në këto momente duhen pikët dhe ajo të dhemb më tepër”, u shpreh tekniku Martini.
-Pas humbjes së penalltisë dhe goli i Kekos çfarë shije të la? Pse 10 minutat e fundit u hapët, nuk ishit të kënaqur me barazim?
“Ai gol në fund të lë shije të hidhur. Në minutat e fundit Partizani e rriti presionin. Ne nuk ndryshuam gjë taktikisht. Ndërrimet nuk na funksionuan. Atëherë kur duhej të dilnim ne në kundërsulm nuk arritëm të mbanim topin. Nuk kemi se çfarë të bëjmë, të ecim përpara.”
-Grupi i lojtarëve, nuk janë gati?
“Janë djem të rinj. Çdo lojtar kërkon të luajë. Janë disa lojtarë që me një modul tjetër mund të ishin në formacion. Ata lojtarë që futëm nuk e kanë përgjegjësinë e duhur. Një lojtar s’ka rëndësi sa minuta luan, por duhet të japë shpirtin. Më vjen të plas me zëvendësimet. Përsa i përket ekipit, jam i kënaqur maksimalisht.”
-Malorja me Tiranën pas disa ditësh?
“Edhe po të fitonim nuk do të ishim të qetë. Duhen pikë, nuk hyn në punë loja. Por gjithsesi ajo që më bën të besoj dhe të jem optimist, është që edhe të mërkurën kundër Tiranës do të futemi në fushë të fitojmë.”