Një ndeshje direkte për Europën ajo në Rrogozhinë kundër Egnatias, që Teuta kërkon ta luajë në mënyrën e duhur. Të besuarit e Tetovës janë në vendin e tretë, katër pikë nga durrsakët, që duhet të fitojë për të vazhduar të shpresojnë, por edhe për të mbajtur nivelin e intensitetit të rezultateve pozitive të tre muajve të fundit.
Probleme formacioni edhe ka, me Beqjan që është i skualikuar e Goxhajn e Qaqin që vazhdojnë të mungojnë. Kështu, Martini është gati të ndryshojë sistemin e lojës për të kaluar në një 3-5-2 që jep më shumë garanci në mbulim. Qirko mes shtyllave do të ketë përpara Jazxhi, Kotobelli e Kuro. Një treshe që do të ketë asistencën edhe të Markun e Gjinollarit në krahë.
Karabeci, E. Vila e Kallaku do të kompletojnë repartin me fantazistin e ardhur nga Tirana, që do të ketë detyrën të mbështesë edhe dyshen ofensive L. Vila-Gruda. Një skemë që i jep mundësinë Martinit edhe të ketë kontroll më të lartë mbi Dwamena, njeriu më i rrezikshëm i rrogozhinasve.
Përveç Jazxhi, që do të jetë i pari që do të luajë në mbulim me sulmuesin e Egnatias, edhe Karabeci do të jetë filtër në mesfushë, me një vëmendje të madhe në lëvizjet e Dwamena. Precedentët sezonale i japin avantazh Teutës, që në fazën e parë shkoi të fitonte 1-2 në Rrogozhinë, ndërsa në të dytën në Niko Dovana, Egnatia i rrëmbeu barazimin. Gjithësesi, Martini shpreson që efikasiteti i fushës armike të bëjë punë edhe këtë herë…