Tirana dhe Teuta kanë barazuar në sfidën përmbyllëse të javës së 17-të të Superiores. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Arena Kombëtare”, përfundoi në barazim pa gola, 0-0. Pas kësaj sfide ka folur trajneri i Teutës, Edi Martini.
“Unë mendoj se ishim më mirë se Tirana, sidomos në pjesën e parë. Më pas bëmë pak tërheqje mbrapa edhe për meritë të kundërshtarit, duke na prishur linjat. Edhe Prenga na nxorri shumë punë të themi të drejtën. Ne u kundërpërgjigjëm kishim mundësitë tona për të shënuar.
Kishim ardhur në Tiranë për ta fituar ndeshjen. Megjithatë, tek e fundit një pikë me Tiranën në Tiranë vlen edhe pse gjendja e kundërshtarit nuk është shumë e mirë. Mund ta quaj rezultat pozitiv, pasi morali i ekipit duhet të rritet. Djemtë ishin të mërzitur pasi kishin mundësi dhe mund ta fitonin ndeshjen.
Më vjen inat pasi në pjesën e parë kishim shumë hapësira dhe duke dërguar Boci e Krujën në sulm kishim epërsi numerike. Torre bëri një ndeshje mjaft të mirë, është një lojtar që gjuajtjet, asistet dhe golat janë arma e tij e fortë edhe pse nuk ia doli sot.
Si Beqja dhe Lloci kanë qenë shumë prezent në portën kundërshtare. Megjithatë u frenuan dhe nuk u futën përpara me dy mesfushorët e qendrës. Kisha mbrojtësit e krahëve që kërkova të shkonin më përpara, madje në dy raste erdhën me vonesë në aksion.
Zëvendësimi i Krujës? Në anën ofensive paçka se unë kërkoja presing lart, Kruja u kthye shumë mbrapa. Ai ka më shumë minuta se të gjithë dhe gjendja fizike e tij nuk ishte më e mira ndoshta. Edhe Jazxhi edhe Kruja u futën shumë afër Prengës dhe i lëshuam terren Përgjonit. Futa lojtar tjetër për të presuar më lart”, është shprehur Martini pas barazimit me Tiranën./newsport/