Edi Martini ka folur pas barazimit 1-1 kundër Dinamos. Trajneri i Teutës u shpreh për Supersport se ishte i kënaqur deri diku me këtë rezultat dhe sipas tij askush s’duhet ta bëjë dramë.

Shkodrani theksoi se kishte shumë mungesa në organikë dhe në këto kushte, ky rezultat ishte i drejtë. Në fjalën e tij para gazetarëve trajneri i kampionëve deklaroi:

“Sot ishte një ndeshje, një ndeshje që të them të drejtën kishim mungesa në formacion. Daja dhe Jackson kishin probleme fizike. Dua t’i falënderoj për sakrificën e bërë. Unë them që në pjesën e parë, nuk ishim në ritëm. Dinamo luajti më mirë se ne. Me kalimin e kohës dhe në pjesën e dytë ne luajtëm më mirë. Kemi probleme në fazën e finalizimit. Duhet të ishim më të vendosur për të fituar ndeshjen.

Sulmi? Ne funksionojmë si skuadër. Ka lojtarë të tjerë, si Plaku apo edhe Gruda që në momente të veçanta kanë shënuar gola të rëndësishëm. Megjithatë s’duhet ta bëjmë dramë të madhe sepse në një ndeshje nuk arrin të shënosh.

Shpresojmë të rregullohemi në të ardhmen. Është një ngërç shënimi i golit, edhe Dinamo luajti me forca të shumta pas, por ne nuk jemi të qartë. Duhet të punojmë në 30 metrat e fundit. Duhet të jemi më agresiv, duhet të jemi më të qartë.

Objektivi? Të them të drejtën, dy ndeshjet e para kanë qenë më të mira. Unë them se javën tjetër jemi komplet dhe duhet të shtojmë agresivitetin para porte. Na ka dalë kundërshtari nga presioni. Duhet të kemi më shumë harmoni edhe në fazën e organizimit. Duhet të jemi edhe me topa vertikalë. Na mbetet t’i punojmë”, u shpreh ai./newsport/