Është mbyllur me rezultatin e pastër 0-2 sfida e parë e National League mes Shqipërisë dhe Bjellorusisë. Kuqezinjtë e drejtuar nga Edi Reja nuk gabojnë dhe marrin 3 pikë në ndeshjen hapëse. Një lojë totalisht e dominuar nga kuqezinjtë që gjejnë golin në pjesën e parë me Cikalleshin. Bjellorusia rrit presionin në pjesën e dytë, por Bare shënon golin e sigurisë dhe hipotekon fitoren 0-2. Në fund të ndeshjes për “RTSH Sport”, trajneri Reja u shpreh:
“Meritojmë të fitojmë grupin, por u duk më e vështirë nga se ishte parashikuar. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë dhe në mbrojtje kemi qenë shumë mirë. Në pjesën e dytë e ulëm rimtin për shkak të gjendjes fizike, por morën atë që është më e rëndësishme.
Nuk e di nëse jemi gati për ndeshjen e radhës pasi më duhet të shikoj gjendjen e skuadrës dhe më pas mund të bëjë disa ndryshime. Nuk besoj se të gjithë janë gati për këtë takim, por do të shikojmë. Janë disa lojtarë që nuk janë stërvitur kohët e fundit dhe nuk mund të luajnë për 90 minuta. Uroj që të luajmë edhe ndaj Lituanisë siç bëmë në pjesën e parë. Trashi dhe Gjimshiti vijnë në kombëtare pas shumë ditësh pushime dhe për këtë arsye nuk ishin në gjendjen e tyre më të mirë fizike.
Më ka pëlqyer mbrojtja, ndërsa sulmi nuk ishte në gjendjen më të mirë në pjesën e dytë. Duhet të presim disa ditë për të vendosur si do të luajmë ndaj Lituanisë. Më pëlqeu shumë Bare dhe Gjasula, por edhe Trashi që kanë vrapuar shumë. Në sfidën e radhës mund të ketë disa debutime, por të shikojmë”.
Shanset për vendin e parë? “Të gjitha ndeshjen janë të vështira, Kazakistani ka fituar në shtëpi dhe do të shikojmë. Kemi pasur disa mungesa në mbrojtje si Kumbulla dhe Ismajli, por kemi alternativa dhe po punojmë për të ardhmen. Shikoj që skuadra prodhon shumë dhe jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj skuadre”.