Kontrata e tij mbyllet pas ndeshjes me Francën, e fundit e eliminatoreve të Euro 2020, por edhe pse kombëtarja tashmë është jashtë këtij kompeticioni, me humbjen që mori në Turqi, Edy Reja duket i bindur për të vazhduar.

Në konferencën para ndeshjes me Moldavinë, Reja është shprehur se dëshiron të vazhdojë në krye të Kombëtares shqiptare edhe pas këtyre eliminatoreve. “Do më pëlqente të vazhdoja punën me Shqipërinë, por duhet të mbyllim këtë cikël tani. Duhet të studiojmë si shkuan gjërat në këto eliminatore, të shohim dhe pikët.

Është një pyetje ku duhet të përfshihet edhe presidenti. Do isha i lumtur për të vazhduar me Shqipërinë. Skuadra më jep stimul dhe përgjigje pozitive. Do doja të vazhdonim këtë rritje dhe vazhdimësi, për të parë se deri kur do arrijmë me këtë ecuri”.

Sa i përket ndeshjes së nesërme ndaj Moldavisë, Reja ka theksuar se nuk e vlerëson aspak kundërshtarin, ndërsa tregon se nuk do të bëjë shumë ndryshime në formacion.

“Më duhet akoma pak më shumë kohë për 11-shen titullare. Nuk mendoj se do bëj ndërrime domethënëse, do bëj pak ndërrime. Nëse i kam të gjithë në formën optimale, nuk do lëviz shumë. Do vendosim nesër. Dua të shoh këtë vazhdimësi në ndeshjen me Moldavinë. Skuadrat e mia nuk nënvlerësojnë asnjë kundërshtar.

Moldavia është një ekip i mirë. Edhe në Elbasan na vuri në vështirësi. Luajnë topin mirë. Do futemi me të njëjtën vendosmëri në fushë për të bërë maksimumin. Edhe Moldavia mund të na vërë në vështirësi”, tha trajneri italian i kombëtares kuqezi nga Moldavia.