Shqipëria fitoi 3-2 me Bjellorusinë për Ligën e Kombeve duke marrë kreun e grupit. Ndeshja “finale” ishte me drithërima për kuqezinjtë, teksa u shënuan plot pesë gola. Pas ndeshjes, nga Air Albania Stadium, trajneri I Shqipërisë Edi Reja tha:

“Ju jeni të vëmendshëm se lojtarët që ishin në fushë nuk luajnë shumë me klubet e tyre dhe ju e dini se të bësh tre ndeshje në nëntë ditë s’mund të pretendojmë shumë. Nuk duhet të jemi fizikisht keq, treguam shumë por lëshuam në fund fizikisht. Dua të vlerësoj lojtarët se bënë mirë, të gjithë duan të luajnë dhe lojtarët kanë bërë mirë.

Na duhej rezultati dhe e kemi marrë me meritë. Kemi bërë një ndeshje të mirë dhe çunat treguan se e duan Kombëtaren dhe duhet t’I japim vlerësimet e duhura. Shpirti, agresiviteti dhe vendosmëria janë deçizive. Shumë lojtarë si Memolla, Cikalleshi kanë kohë që nuk luajnë dhe Bjellorusia është mirë fizikisht. E patëm të vështirë t’I mbanim sepse kanë lojë të mirë në luftën në ajër.

Momenti pozitiv? Gjithë debutuesit bënë mirë, Selahi, Broja, Kallaku që nuk kanë shumë eksperiencë. Janë përgjigjur mirë dhe duhen vlerësuar. Pandemia na ka bërë shumë keq me lojtarët dhe duhet të vlerësojmë veteranët si Cikalleshi, Balaj, Memushaj, Gjimshiti ka bërë lojë të mirë, mbajti mbrojtjen në këmbë. Nëse s’do ishin për veteranët edhe djemtë e rinj nuk do bënin mirë.

Mbrojtja nuk pati kompaktësi dhe komunikim? Jo, mendoj se Memushaj do mbante më shumë para tyre. Memolla më kërkoi që të dilte 15 minuta nga pjesa e dytë. Shtrënguam dhëmbët.

Më mirë me tre në mbrojtje? U bë e bezdishme kjo pjesa e skemës. Pse nuk flisni me djemtë dhe të mendoni si luajnë ata dhe si duan ata. Futbolli vazhdon dhe luhet me markime një për një. Doka nuk luan vetëm në mbrojtje dhe nëse ke lojtarë të tillë mund të marrësh rezultate të mira në sulm.

Kemi pësuar shumë? Nuk ka ndryshuar shumë, kanë ndryshuar lojtarët. Cikalleshi e sheh portën më shumë se Manaj. Shikoni çka ndodhur në të kalauarën, kemi bërë gjashtë gola në ndeshje zyrtare, nuk mund të qahemi për gola. Ka shumë që e shohin ndeshjen. Shikojeni dhe analizojeni si duhet”, tha Edi Reja.